Nesër edhe zyrtarisht bëhen një vit e pesë muaj që nga dita kur u privua nga jeta ish-lideri i SDP-së në Mitrovicën e Veriut, Oliver Ivanoviq.
Rasti ishte marrë në dorë nga Prokuroria Speciale e Kosovës, teksa pas disa muajsh hetime kishte pasur edhe arrestime, shkruan lajmi.
Megjithatë, në pranga nuk përfundoi i dyshuari kryesor, njëherit i cilësuari si ‘bos’ i krimit në Mitrovicën e Veriut, Milan Radojiçiq.
Nesër në shenhjë përkujtimi do të vendosen edhe lule tek vendi ku është vrarë Ivanoviq.
Zëvendëskryetarja e partisë së Ivanoviqit, Ksenija Bozhoviq, thotë se pas 17 muajve që nga rasti, është e papranueshme ta mendosh se hetimet nuk kanë dhënë rezultat.
“Është e vështirë ta pranosh se hetimet nuk kanë dhënë ndonjë rezultat, përkundër premtimeve, pra nuk ka përgjigje për pyetjen se kush e urdhëroi dhe kush e kreu aktin”, tha ajo.
Megjithatë, sipas saj familjarët ende shpresojnë në drejtësi dhe se siç shprehet ajo nuk do të heqin dorë pa u zbuluar se kush qëndron prapa krimit të kryer.
Rasti Ivanoviq, ishte bërë shpesh herë arsye përplasjeje mes institucioneve të Kosovës dhe Serbisë.
Këto të fundit shpesh herë e kishin akuzuar Prishtinën se nuk po i ofron informacione dhe se nuk po bashkëpunon në hetimet për rastin.