17 specialistë të psikologjisë klinike, avancimi i të cilëve u financua nga Ministria e Shëndetësisë, sot i shërbejnë sektorit privat, kjo për faktin se institucionet përgjegjëse nuk kanë hapur konkurse për sistemimin e tyre në kujdesin e shëndetit mendor.
Njëra nga kriteret e kontratës së specializantëve me Ministrinë e Shëndetësisë ishte që në afat prej tre vjetëve të shërbenin në sektorin publik, por vetëm tre prej tyre janë punësuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Vigan Behluli është njëri nga psikologët klinikë të gjeneratës së parë të Kosovës, program specialistik i hapur dhe financuar nga ministria e shëndetësisë nga viti 2014 deri më 2021. Mirëpo, vetëm tre prej 20 specialistëve të psikologjisë klinike deri më tani janë punësuar në institucionet publike. Ndërsa, të tjerët janë sistemuar në sektorin privat.
“ Njëra nga kriteret ka qenë që me mbarimin e programit specialistik marrim një licencë adekuate dhe specializantet që financohen prej shtetit e kanë për obligim që për afatin 3 vjeçar të shërbejnë për institucionet publike shëndetësore të shëndetit mendor, një numër I madh prej tyre nuk kanë arrit me u kyç në sektorin publik janë sistemuar në atë privat si mungesë e hapjes së vendeve të punës, ndërsa të tjerët edhe e kanë braktis vendin”, tha Vigan Behluli, Psikolog Klinik.
Edhe përfaqësuesi i të drejtave të pacientëve thotë se duhet të shtohet numri i psikologëve nëpër institucionet shëndetësore.
Besim Kodra kryetar i shoqatës për të drejtat e pacientëve thotë se prania e psikologeve gjithsesi që është e nevojshme nëpër institucionet shëndetësore.
“Prania e psikologeve gjithsesi që është e nevojshme sepse çdo ndryshim ne aspektin fizik te pacienti do të ndikoj në aspektin psikik tek dikush më shumë, e të tjerët me pak, andaj nevoja për ta patur psikolog në institucionet shëndetësore është jashtëzakonisht e madhe”, u shpreh Kodra.
Për rreth 30 klinika, QKUK ka vetëm 14 psikologë, 7 prej tyre janë në klinikën e psikiatrisë, dy në klinikën e Neurologjisë, dy në institutin e Forenzikës, ndërsa vetëm nga një psikolog e kanë Gjinekologjia, Pediatria dhe Instituti Onkologjik.
I pyetur për këtë çështje, ministri i shëndetësisë, Arben Vitia, tha se kjo është kompetencë e drejtorisë së SHSKUK –së.
“ShSKUK –ja si organizatë në vete çdo konkurs e ka të drejtën që ta hap vet, dhe këtë pyetje duhet të ja parashtroni bordit apo drejtorisë së SHSKUK – së……”, tha ministri Vitia.
Por, menaxhmenti i SHSKUK-së nuk ka kthyer asnjë përgjigje në kërkesën e RTK-së për intervistimin e ud. drejtoreshës Narqize Arënliu Hoxhaj.