
Në shënim të 18-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, mirëpriti në sallën e Kuvendit Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, i shoqëruar nga ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj.
Haxhiu theksoi se ky takim shërben si reflektim i bashkëpunimit të ngushtë mes dy vendeve dhe i mbështetjes së vazhdueshme të Shqipërisë për Kosovën. Ajo tha:
“E falënderova për vizitën dhe urimet, duke shprehur mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Shqipërisë ndaj Kosovës, para e gjatë luftës sikurse edhe në periudhat e mëvonshme të shtetndërtimit dhe integrimit ndërkombëtar”, tha Haxhiu.
Gjatë takimit, u diskutuan sfidat e përbashkëta dhe u riafirmua zotimi për mbështetje të ndërsjellë mes dy shteteve shqiptare.
Presidenti Begaj nga ana e tij shprehu përkushtimin e Shqipërisë për Kosovën në proceset vendore dhe integruese evropiane.
Ky takim nënvizon partneritetin e fortë mes dy vendeve dhe mbështetjen për të ardhmen e Kosovës në proceset e zhvillimit demokratik dhe integrimit ndërkombëtar. /Telegrafi/