“18 vjet se kam parë djalin, është ardhë dhe u vra”, rrëfimet prekëse të familjarëve në 27-vjetorin e Betejës së Koshares

14:05 | 09 Prill 2026
“18-vjet-se-kam-pare-djalin,-eshte-ardhe-dhe-u-vra”,-rrefimet-prekese-te-familjareve-ne-27-vjetorin-e-betejes-se-koshares

Sot shënohehet 27-vjetori i Betejës së Koshares, një nga momentet më të rëndësishme të luftës për liri, ndërsa për shumë familje kjo ditë rikthen plagë që nuk janë shëruar kurrë.

Mes tyre është edhe nëna e dëshmorit Syjleman, e cila rrëfen se për 18 vjet nuk e kishte parë djalin e saj që jetonte në mërgim, për ta takuar më pas vetëm si të rënë në luftë.

Kujtimet e kësaj beteje mbeten të gjalla për familjarët e dëshmorëve, të cilët përmes rrëfimeve të tyre rikujtojnë sakrificën dhe dhimbjen, duke theksuar se humbja e më të dashurve vazhdon të jetë e rëndë edhe pas kaq vitesh.

“Unë 18 vjet se kam parë djalin, ka ardhë në Koshare është vrarë. 30 vite kemi ndejt veç ne me plakun, djemt në Gjermani. Për të s’kam dit kurgja, është ardhë është vrarë në Koshare te Ura e Shenjtë”, tha nëna e dëshmorit Syjleman, Qerime Shala.

Edhe Kumrije Mavraj, nëna e dëshmorit Milazim, foli për dhimbjen e humbjes së djalit, duke theksuar se ai ka lënë pas familjen e tij.

“Si nana për evlad ishalla ai për xhenee e ju përparoni tanë. Ka lënë dy djem e një çikë. Zor boll, po ishalla nuk sprovohet kush. Pak kanë bërë (shteti)”, tha ajo.

Ndërsa Ilaz Islami, vëllai i dëshmorit Xhemshir, tregoi se i ndjeri kishte ardhur nga Gjermania për t’iu bashkuar luftës.

“Vllau ka qenë në Gjermani me letra, e ka parë luftën qysh po zhvillohet ka edhe ka ardhë. Unë nuk di më shumë se ne kemi qenë në burg. Vllau ka qenë 24 vjeçar. Shteti me mujt me marrë masa pak më shumë me zbardh fatin e të gjithëve, pastaj është më lehtë për ne e për të gjithë”, tha ai.

Më 9 prill 1999, luftëtarët e UÇK-së, të udhëhequr nga Brigada 138 “Agim Ramadani”, arritën të thyejnë kufirin mes Kosovës dhe Shqipërisë, duke hapur rrugën për furnizim me armatim dhe mbështetje logjistike.

Kjo betejë, që zgjati deri më 10 qershor 1999, u zhvillua në kushte të vështira dhe me një vendosmëri të lartë të luftëtarëve shqiptarë, ku mbetën të vrarë 114 ushtarë.

Thyerja e kufirit në Koshare pati rëndësi të madhe strategjike dhe simbolike, duke shënuar një hap të rëndësishëm drejt çlirimit të Kosovës.

Komento: