19 të vdekur e mijëra shtëpi të shkatërruara nga tajfuni në Filipine

09:59 | 18 December 2021

Tajfuni lë 19 të vdekur e dëmton shumë shtëpi në Filipine.

Një tajfun i fuqishëm ka lënë së paku 19 të vdekur dhe ka shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale, kryesisht në pjesën qendrore të Filipineve, thanë të shtunën zyrtarët e këtij vendi. Një guvernatore tha se provinca që ajo e udhëheq është bërë “rrafsh me tokën”.

Tajfuni Rai shkoi të premten në mbrëmje drejt Detit të Kinës Jugore, pasi më herët i përfshiu provincat qendrore e jugore, ku mbi 300.000 njerëz janë evakuuar në vende më të sigurta paraprakisht. Zyrtarët thonë se ky veprim mund ta ketë shpëtuar jetën e mijëra njerëzve.

Në kohën kur ishte në pikën më të fuqishme, tajfuni solli erë me shpejtësi deri në 195 kilometra në orë, duke u bërë njëra ndër stuhitë më të fuqishme të viteve të fundit që e godet arkipelagun e Azisë Juglindore, shkruan Associated Press, përcjell Gazeta Express.

Tajfuni e goditi bregdetin juglindor të vendit të enjten, por pasojat në njerëz dhe në aspektin material mbetën të paqarta dy ditë pasi disa provinca mbetën pa rrymë dhe pa lidhje telefonike.

Policia raportoi 19 viktima, por nuk dha hollësi të tjera. Agjencia kryesore qeveritare për menaxhimin e fatkeqësive raportoi 12 të vdekur, shumica banorë fshatrash të goditur nga drurët e rrëzuar, sepse tha se duhet që ta vërtetojë me kujdes secilën vdekje.

Komento: