20 modalitetet për targat, Hoti-Qeverisë: S’ka rrugë të mesme, ose zbatojeni ligjin ose shtyjeni vendimin

19:04 | 17 November 2022

Deputeti i LDK’së, Avdullah Hoti, ka reaguar pas njoftimit të zëvendëskryeministrit Bislimi se ia kanë dërguar emisarit të BE’së, Miroslav Lajçak, një propozim me 20 modalitete se si mund të veprohet për targat.

Duke u thirrur në parimin e kryeministrit Kurti se kërkesa për targat po bëhet si nevojë për zbatim të ligjit, Hoti ka pyetur Qeverinë se si mund të ketë 20 modalitete për ta zbatuar ligjin.

Në gjykimin e Hotit, nuk ka “rrugë të mesme” në këtë çështje, ose e zbaton ligjin ose dëgjon kërkesën e ShBA’ve për shtyrje të vendimit.

“Ose e zbaton ligjin, ose e ndegjon kërkesën e ShBA-së dhe e shtynë zbatimin e punon për marrëveshjen finale sipas këshillave të miqve. Rrugë të mesme nuk ka. Përrallat me qortime nuk janë zbatim i ligjit”, shkroi Hoti në Facebook.

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka deklaruar se sot i kanë dërguar sot një shkresë Emisarit të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, në të cilën janë theksuar 20 modalitete për atë se çfarë mund të bëhet pa kontestuar ligjshmërinë e vendimit për targat.

Bislimi tha se në momentin që ka dakordim do ta bëjnë publike.

“Ne jemi ende në kontakt me Lajçakun, sot i kemi dërguar edhe me shkrim atë mënyrën se si ne e shohim zhvillimin që nga java e ardhshme e deri në muajt në vijim. Dhe atë moment që ne kemi dakordim e bëjmë publike. Modalitete janë 20 sosh, në 20 mund të jetë secili, por për të cilin ne kemi diskutuar, edhe të cilin jemi duke e suportuar është diçka tjetër”, tha ai në TV1.

Komento: