
COVID-19, 20 ventilatorë mobilë donacion për QKUK-në.
Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në Kosovë, si reagim të menjëhershëm ndaj Covid-19, dorëzoi sot 20 ventilatorët e parë mobil Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) të blera me fonde të qeverive të Norvegjisë, Zvicrës dhe Luksemburgut. Këta ventilatorë do të ngrisin kapacitetin e kujdesit intensiv të sektorit shëndetësor të Kosovës.
Kontributi i përgjithshëm nga qeveritë e Norvegjisë, Zvicrës dhe Luksemburgut për blerjen e ventilatorëve mobil Vg70 është 1,17 milion dollar, në partneritet me UNDP-në. Falë kësaj mbështetjeje bujare, UNDP ka blerë 40 ventilatorë, 20 prej të cilëve u dorëzuan sot ndërsa pjesa tjetër do të dorëzohet deri në fund të muajit qershor.
Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, i cili pranoi donacionin në emër të QKUK-së theksoi rëndësinë e këtij bashkëpunimi.
“Është nder për mua të pranoj këtë donacion në emër të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës. Dua të falënderoj qeveritë e Norvegjisë, Zvicrës dhe Luksemburgut për fondet dhe UNDP-në për blerjen e ventilatorëve mobilë që do të shpëtojnë jetë. Ne vlerësojmë lartë kontributin dhe mbështetjen tuaj për sistemin shëndetësor në Kosovë në menaxhimin e pandemisë COVID-19. Ministria e Shëndetësisë është e përkushtuar të vazhdojë me projekte të përbashkëta edhe në të ardhmen, pasi ta mposhtim krizën”.
Maria Suokko, përfaqësuesuese e Përhershme e UNDP-së tha se kjo organizatë qëndron bashkë me qytetarët dhe institucionet e Kosovës dhe partnerët ndërkombëtarë në luftën kundër COVID-19 dhe për të reaguar ndaj ndikimeve të shkaktuara nga pandemia.
Ambasador i Norvegjisë, Jens Erik Grøndahl, theksoi se në një kohë shumë të vështirë, që po shkakton presion të jashtëzakonshëm në shërbimet e shëndetit publik, është e domosdoshme të shfaqet solidaritet dhe të bëjmë gjithçka që mundemi për të ndihmuar njëri-tjetrin dhe për të forcuar përpjekjet tona të përbashkëta për mposhtjen e pandemisë.
Ambasadori i Zvicrës, Jean-Hubert Lebet, ndërkohë, potencoi se, si partner afatgjatë në zhvillimin social dhe ekonomik të Kosovës, Zvicra është e lumtur të qëndrojë me Kosovën edhe në luftën kundër COVID-19.
Ndërsa, e ngarkuara me punë në Ambasadën e Luksemburgut, Natacha Gomes, në mungesë të pjesëmarrjes në këtë ngjarje, dërgoi një mesazh ku thuhet: Qeveria ime rikonfirmon përkushtimin për të mbështetur institucionet e Kosovës që t’i përgjigjen në mënyrë efektive nevojave urgjente duke shfrytëzuar mbështetjen shumëvjeçare të Luksemburgut për reformën e sektorit të shëndetësisë. ”
Bëhet e ditur se ventilatorët janë prodhuar në Kinë, të certifikuar me çertifikatën e BE-së dhe me sigurimin e cilësisë nga Njësia Globale e Prokurimit e UNDP-së në Kopenhagë