20-vjetori i APK-së, institucionet kërkojnë bashkëpunim më të madh në luftën kundër korrupsionit

11:50 | 17 Korrik 2026
20-vjetori-i-apk-se,-institucionet-kerkojne-bashkepunim-me-te-madh-ne-luften-kunder-korrupsionit

Përfaqësues të institucioneve vendore dhe partnerëve rajonalë vlerësuan se lufta kundër korrupsionit kërkon angazhim të vazhdueshëm dhe bashkëpunim ndërinstitucional, në shënimin e 20-vjetorit të Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit (APK).

Drejtori i APK-së, Yll Buleshkaj, tha se institucioni ka kaluar nga një rol kryesisht administrativ në një mekanizëm aktiv për parandalimin e korrupsionit, duke vënë theksin te digjitalizimi, transparenca dhe forcimi i mekanizmave për deklarimin e pasurisë, konfliktin e interesit, sinjalizimin dhe mbrojtjen e sinjalizuesve.

“Agjencia nuk duhet të jetë vetëm një institucion që administron procedura. Ajo duhet të krijojë besimin e qytetarëve në institucionet e Republikës së Kosovës, duke parandaluar korrupsionin dhe duke udhëhequr me shembull”, tha Buleshkaj.

Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Arian Gashi, theksoi se lufta kundër korrupsionit nuk mund të zhvillohet nga një institucion i vetëm, por kërkon koordinim të drejtësisë, organeve të pavarura, ekzekutivit, shoqërisë civile dhe qytetarëve.

Ai vlerësoi bashkëpunimin ndërmjet KPK-së dhe APK-së, duke e cilësuar atë të rëndësishëm për forcimin e integritetit institucional dhe sundimit të ligjit.

Edhe zëvendësministri i Drejtësisë, Genc Nimoni, tha se përvjetori i APK-së është një mundësi për të riafirmuar përkushtimin institucional për reforma që fuqizojnë mekanizmat e parandalimit dhe luftimit të korrupsionit.

Aktiviteti u organizua nën moton “20 Vjet Transparencë dhe Integritet – Duke Rritur Besimin, Duke Parandaluar Korrupsionin”, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të institucioneve vendore dhe partnerëve ndërkombëtarë.

Komento: