
2021: Historia para syve tanë – shtatë ‘Topa të Artë’ për Messin
Lionel Messi mbylli një vit kalendarik të suksesshëm, duke vazhduar të shkruajë histori në nivel klubesh por edhe në atë kombëtaresh.
Për dallim nga viti paraprak 2020, Messi kishte një vit dukshëm më të mirë personal në shënimin e golave, megjithatë bota e futbollit u shokua në mes të vitit, kur ai do të ndërronte ngjyrat e klubit.
Përfundimi i kampanjës 2020-21
Ylli argjentinas e mbaroi kampanjën 2020-21 me një trofe të fituar, duke triumfuar në finalen e ‘Copa del Rey’, megjithatë nuk arriti të fitonte titullin e ligës në një garë të fortë mes tyre dhe dy skuadrave madrilene deri në fund të sezonit në maj.
Kampanja e tij u mbyll me qetësi por s’kishte si të mos përfundonte pa një çmim individual, duke e rrëmbyer atë që e kishte në qejf më së shumti – çmimin ‘Pichichi’ i golashënuesit më të mirë të La Liga, duke realizuar 30 gola në 35 paraqitje.
Triumfi në ‘Copa America’
Teksa po e mbyllte sezonin, Messi ishte me një mendje tek kombëtarja e tij pasi po e priste kampanjën emocionuese të ‘Copa America’ – si një shans të fundit për të synuar trofeun që vetëm ai i mungonte.
Si lojtari më i dalluar në atë turne, me katër gola e pesë asistime Messi me Argjentinën arriti në finalen emocionuese, pasi paraprakisht mposhtën Kolumbinë në gjysmëfinale nëpërmjet penalltive.
Në finalen e madhe ndaj Brazilit më 11 korrik, minuta e 22-të rezultoi të ishte ai moment që do t’i jepte Messit diçka që po e priste gjatë – triumfin në kompeticion, pasi ndeshja përfundoi me rezultat 1-0, kur Angel Di Maria realizonte golin e vetëm.
Përpara suksesit në Maracana, Messi kishte humbur tre finale radhazi në një hark kohor tre vjeçar – e para erdhi në humbjen 1-0 ndaj Gjermanisë në Kupën e Botës 2014 në Brazil, përpara se të mposhteshin nga Kili në Kupën e Amerikës në finalet në 2015 dhe 2016.
“Kam qetësi që kam arritur ëndrrën që më është mohuar kaq shumë herë”, kishte deklaruar Messi në një intervistë për ESPN ndërsa ishte në detyrë ndërkombëtare.
“Ishte si një ëndërr, një moment spektakolar. Nuk mund ta besoja se kishte ndodhur. Më pëlqen të shikoj imazhet tani më shumë se në atë kohë pasi isha në habi. Nuk e kuptoja fare se çfarë po ndodhte”, kishte deklaruar Messi i ekzaltuar pa masë.
Largimi i papritur nga Barcelona
Jo shumë kohë pas këtij triumfi historik të tij, argjentinasi i lumtur po bëhej gati që të nënshkruante kontratën e re me Barcelonën, duke u dakorduar për të gjitha detajet e kontratës.
Rreth orës 21:00 më 4 gusht, Lionel Messi dhe familja e tij zbarkuan në Katalonjë me një fluturim privat nga Ibiza. Ai erdhi për të nënshkruar një kontratë të re me Barcelonën.
Më 5 gusht, ndodhi ajo çfarë më së paku mendohej – Lionel Messi përfundimisht po largohej nga Barcelona.
Barcelona konfirmoi përmes një deklarate se Messi “nuk do të vazhdojë” me klubin.
Edhe kur ishte zyrtare, nuk dukej reale. Edhe kur u përsërit, presidenti që qëndronte aty duke thënë kështu, nuk dukej të ishte e vërtetë. Edhe pas gjithë atyre paralajmërimeve, të gjithë u kapën pas shpresës se mund të kishte ndonjë zgjidhje. Ajo që ekzistonte – më parë nuk kishte.
Klubi dëshironte të zgjaste kontratën e 34-vjeçarit me dy vjet të tjera, por rregullat e ‘Fair Play Financiar’ (FFP) të LaLiga-s e penguan atë dhe kësisoj Barcelona duhej të merrte me siguri vendimin më të vështirë të saj në këtë shekull – largimin e tij pas 17 viteve.
Më 8 gusht, Messi doli në një konferencë për të konfirmuar largimin e tij – në një deklaratë emocionuese.
Ai theksoi se nuk ishte “i përgatitur për” largimin e tij.
Megjithatë, në një farë mënyre ata ishin përgatitur të gjithë. Një vit përpara, Messi kishte deklaruar se donte të largohej. Presidenti i përkohshëm i klubit, Carlos Tusquets, kishte pranuar se ekonomikisht duhet ta kishin shitur.
Argjentinasi pranoi se ishte “i bindur” se do të qëndronte te Barcelona, duke shtuar se do të ishte “e çuditshme” për të që të largohej, por njerëzit do të mësohen me të.
Messi gjithashtu e quajti largimin e tij “momentin më të vështirë” të karrierës së tij.
Ai tha: “Kam qenë gjithë jetën këtu, nuk jam gati për këtë. Dhe vitin e kaluar me gjithë marrëzitë, u binda për atë që doja të them, por këtë vit nuk është njësoj.
“Këtë vit familja ime dhe unë ishim të bindur se do të qëndronim këtu, kjo është ajo që ne të gjithë donim më shumë se çdo gjë”.
Ai tha se familja e tij ishte “në shtëpi” në Barcelonë dhe “ne menduam se do të qëndronim këtu”.
Sidoqoftë, epoka e tij në Barcelonë po mbyllej.
Messi, 34 vjeç, e kaloi gjithë karrierën e tij në Barcelonë, duke kaluar nëpër akademinë e klubit përpara se të shënonte 672 gola në 778 paraqitje, pasi bëri debutimin e tij për seniorët në 2003.
Në konferencë gjithashtu ai nuk specifikoi një skuadër të caktuar se ku do të transferohej, megjithatë mund të paramendohej lëvizja e tij.
Transferimi i tij tek PSG
Që nga momenti kur u kuptua se Messi po largohej, PSG veçse bëri kontaktet e para duke e bërë të qartë se e dëshirojnë transferimin e yllit argjentinas.
Më 11 gusht, PSG arriti përfundimisht transferimin e Messit, duke nënshkruar kontratë dy-vjeçare me një opsion shtesë, në një shumë vjetore stratosferike prej 35 milionë eurove.
“Jam i emocionuar për të filluar një kapitull të ri të karrierës sime në Paris Saint-Germain,” kishte deklaruar Messi.
“Gjithçka rreth klubit përputhet me ambiciet e mia të futbollit. E di se sa e talentuar është skuadra dhe stafi stërvitor këtu. Jam i vendosur të ndihmoj në ndërtimin e diçkaje të veçantë për klubin dhe tifozët dhe mezi pres të dal në fushë në Parc des Princes”, kishte thënë ndër të tjerash argjentinasi.
Gjersa mendohej se Messi do të merrte numrin 10 në fanellë, pasi Neymar ishte deklaruar i gatshëm për t’ia lënë numrin ish-bashkëlojtarit të tij tek Barcelona, megjithatë Messi mori një numër tjetër.
Messi do të veshte fanellën me nr. 30 – të njëjtin numër që kishte veshur në dy sezonet e tij të para me Barcelonën përpara se të kalonte në numrin 19 dhe më pas me numrin 10 të çmuar, të cilin Neymar e mban në PSG.
Debutimi me PSG-në
Argjentinasi, i veshur me fanellën e tij të re me numrin 30 të PSG-së, mori një ovacion të madh teksa bëri debutimin e tij më 29 gusht, kur e zëvendësoi mikun e tij Neymar para një turme të tifozëve në ndeshjen ndaj Reims.
Ishte ndeshja e parë për klube në karrierën e tij për një ekip tjetër përveç Barcelonës.
Sidoqoftë duhej të kalonin rreth dy muaj deri kur Lionel Messi më në fund të shënonte golin e tij të parë në Paris Saint-Germain në Ligue 1, pas një fitoreje 3-1 ndaj FC Nantes më 20 nëntor.
Ndonëse goli i tij erdhi vonë në kampionatin francez, argjentinasi shpërtheu në kompeticionin e Ligës së Kampionëve, kur realizoi një eurogol ndaj Man Cityt në fitoren 2-0 të fazës së grupeve më 29 shtator.
Forma e Messit vazhdoi në Ligën e Kampionëve, duke e mbyllur fazën grupore me pesë gola të realizuara në pesë ndeshje të zhvilluara.
Sidoqoftë forma e tij në ligën e Francës dëshpëroi, duke pasur vetëm një gol në 11 ndeshje të zhvilluara gjithsej me parisienët.
Ajka e fundvitit për Messin – Topi i Artë shtatë i tij në karrierë
Messi arriti të fitonte Topin e Artë për herë të shtatë në karrierë në mbrëmjen e së hënës të 30 nëntorit 2021.
Në një garë tejet të ngushtë me yllin e Bayernit, Robert Lewandowski, argjentinasi arriti që ta mposht polakun dhe kjo falë avantazhit të tij me triumfin e Kupës së Amerikës, pavarësisht se polaku statistikisht ishte larg më i mirë në aspektin e golave.
Messi ishte favorit për të marrë çmimin pasi fitoi Kupën e Amerikës me Argjentinën në fillim të këtij viti – trofeu i tij i parë i madh ndërkombëtar – pavarësisht një prej periudhave të tij më pak mbresëlënëse në nivel klubesh: Barcelona përfundoi e treta në La Liga dhe u eliminua herët në Ligën e Kampionëve.
Megjithatë, Messi shënoi dy gola teksa Barça fitoi finalen e ‘Copa del Rey’ dhe ai ishte golashënuesi më i mirë i La Ligës edhe një herë, përpara se të kalonte te Paris Saint-Germain në verë.
Lionel Messi mund të jetë ende duke u mësuar me mjedisin e tij të ri si lojtar i Paris Saint-Germain, por kryeqyteti francez u bë një mjedis i njohur për të. Në fund të fundit, është vendi ku 34-vjeçari u kurorëzua si lojtari më i mirë në botë, me ‘France Football’ që i dorëzoi Messit një Top rekord të shtatë të Artë.
Me Topin e shtatë të Artë, Messi zgjeroi rekordin e tij të Topave të Artë, duke qenë tani në dy më shumë se ndonjë futbollist tjetër.