22-vjeçari humbi jetën në vendin e punës, kompania tregon si ndodhi ngjarja

10:22 | 25 Shkurt 2019

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur dje, kur një 22 vjeçar nga Mushtishti i Suharekës ka humbur jetën në vendin e tij të punës.

Krenar Jemini humbi jetën gjatë orarit të punës në kompaninë ‘Lab Oil’ në Prishtinë.

Institucionet kompetente gjatë natës së kaluar dhanë detaje për rastin, ku u theksua se i njëjti kishte ndërruar jetë gjatë pastrimit ku mbaheshin derivatet e naftës.

E kompania ‘Lab Oil’ përmes një njoftimi për media ka bërë të ditur se i ndjeri Krenar Jemini në momentin kritik ishte duke kryer punën e tij në fabrikë dhe ka shkarë në shiritin transportues, ku edhe mori lëndime vdekjeprurëse.

Tutje e njëjta kompani i shprehi ngushëllime familjarëve, duke thënë se kjo është e vërteta e ngjarjes.

Njoftimi i plotë:

Kompania Lab-Oil nga Prishtina njofton opinionin publik se më datë 24.02.2019 në fabrikën e Petrokoksit që gjendet në Preoc (magjistarja Prishtinë-Ferizaj), aksidentalisht ka humbur jetën punëtori ynë, Krenar Jemini (1997).

I ndjeri Jemini në momentin kritik ka qenë duke kryer punët e tij në fabrikë dhe ka shkarë në shiritin transportues të fabrikës, ku ka marrë lëndime vdekjeprurëse.

Kompania Lab-Oil me anë të kësaj komunikate dëshiron që të bëjë me dije për opinionin se kjo është e vërteta e ngjarjes tragjike që ka ndodhur në kompaninë tonë.

Familjes së ish-punëtorit tonë, i shprehim ngushëllimet më të sinqerta!

Komento: