24 sirianë e afganë në Kosovë kërkuan azil, vetëm tre nga ta fitojnë statusin e refugjatit

08:10 | 17 Shtator 2023
24-siriane-e-afgane-ne-kosove-kerkuan-azil,-vetem-tre-nga-ta-fitojne-statusin-e-refugjatit

23 shtetas sirian dhe një afgan kanë bërë kërkesë për azil në Kosovë gjatë periudhës janar-gusht të këtij viti.

Por, aktualisht në procedurë të azilit është vetëm një shtetas afgan.

Këto të dhëna janë bërë të ditura për Front Online nga Ministria e Punëve të Brendshme.

“Gjatë periudhës Janar- Gusht 2023, numri i kërkesave për Azil nga shtetasit Sirian ishte 23 dhe nga shtetasit Afgan 1. Aktualisht në procedurë të azilit është vetëm një shtetas Afgan . Ç’do shtetas i huaj ose pa shtetësi që parashtron kërkese për mbrojtje Ndërkombëtare në Republikën e Kosovës, akomodohet në Qendrën për Azil apo në një vend të caktuar”, ka treguar për Front Online Valbona Gërvalla, udhëheqëse e divizionit për menaxhimin e të dhënave të migrimit.

Këto janë procedurat që shtetasit e huaj duhet të ndjekin për të fituar statusin e refugjatit

E, nga 24 shtetas sirian dhe afgan që kanë bërë kërkesë për azil gjatë periudhës tetë mujore, vetëm tre nga ta kanë fituar status refugjati.

“Gjatë periudhës Janar- Gusht 2023, vetëm tre azilkërkues afgan dhe sirian kanë fituar status refugjati dhe mbrojtje plotësuese”, ka bërë të ditur Gërvalla.

Por, sa mund të qëndrojnë afganët dhe sirianët në Kosovë?

“Procedura për përcaktimin e statusit të mbrojtjes në shkallë të parë zgjatë 6 muaj që nga dita e parashtrimit të aplikacionit. Afati prej 6 muajve mund të zgjatet edhe për një periudhë shtesë prej 3 muajve, por jo më gjatë se 9 muaj, në rastet e përcaktuara në nenin 72.Në çdo rast, organi kompetent do të kryej procedurën e shqyrtimit brenda afatit maksimal kohor prej 21 muaj nga aplikimi”, ka bërë të ditur ajo.

Gërvalla tregon për mbështetjen financiare që marrin shtetasit e huaj në Qendrën për Azil

Valbona Gërvalla, udhëheqëse e divizionit për menaxhimin e të dhënave të migrimit në një intervistë për Front Online ka treguar se të gjithë aplikuesit që aplikojnë për mbështetje financiare përfitojnë edhe asistencë sociale.

“Aplikuesit për mbrojtje ndërkombëtare kanë të drejtë në përfitim të asistencës sociale financiare, ashtu sikurse qytetarët e Republikës së Kosovës”, ka thënë ndër të tjera Gërvalla.

Për të gjithë ata që akomodohen në qendrën për azil kanë mundësi të shumta.

Atyre do t’i ofrohen kurse bazike, kurse brenda 3 muajve aplikuesit fëmijë regjistrohen edhe në shkollë fillore.

“Aplikuesit që akomodohen në Qendrën për azil ju ofrohen kurse bazike; si kurs të Gjuhës Shqipe dhe kurse të informatikës. Brenda 3 muajve aplikuesit fëmijë regjistrohen në shkollën fillore dhe të mesme sipas moshës së tyre, me të drejta të barabarta me qytetarët e Republikës se Kosovës”, ka thënë Gervalla për Front Online.

Në gusht të vitit 2021, Kosova miratoi kërkesën e Shteteve të Bashkuara për të strehuar deri 2.000 afganë që kishin punuar me forcat e huaja në 20 vjetët e fundit, pasi talibanët morën Kabulin në mes të gushtit.

Afganët u strehuan në dy lokacione shumë pranë njëra-tjetrës në kampin e kompanisë Bechtel-Enka, si dhe kampin Liya brenda bazës ushtarake amerikane në Kosovë, Bondsteel në Ferizaj.

Grupi i parë i afganëve arriti në Kosovë më 29 gusht të vitit 2021.

Sipas Qeverisë së Kosovës, rreth 1.900 afganë janë strehuar në Kosovë që nga ajo kohë.

Shumica prej tyre janë zhvendosur në SHBA, disave u është refuzuar hyrja në Shtetet e Bashkuara, për shkak se ata nuk e kanë kaluar procesin e verifikimit.

Një numër prej të tyre janë zhvendosur në ndonjë shtet të tretë./Front Online

Komento: