24-vjetori i masakrës së Reçakut, Osmani: Duhet të luftojmë për kujtesë kundër harresës

18:13 | 15 January 2023

Vjosa Osmani është shprehur se duhet luftuar për kujtesë, kundër harresës, gjithnjë duke parë nga e ardhmja.

Ajo shprehet se duhet kthyer në Reçak e në secilin vend tjetër ku barbaria serbe la gjurmë tmerri, duke dëshmuar të vërtetën, sepse vetëm ajo ndihmon në ndërtimin e një të ardhmeje të bazuar në paqe.

”Reçaku dëshmoi se Kosova ishte edhe sfidë e përballjes së botës demokratike me dilemën: a do të dorëzohej një qytetërim i tërë para një barbarie, apo do të vepronte në mbrojtje të vlerave të veta, duke e mbrojtur një popull të shtypur, që rrezikonte të shfarosej nga një regjim me qëllime gjenocidale”?

“Prandaj, si popull që sakrifikuam gjithçka për lirinë tonë, sot duhet të luftojmë për kujtesë kundër harresës, gjithnjë duke shikuar kah e ardhmja.
Të kthehemi në Reçak e në çdo vend tjetër ku barbaria serbe la gjurmë tmerri, ta themi me zë të lartë se këtu kanë ndodhur krime kundër njerëzimit, siç e tha ambasadori Walker para njëzet e katër vjetësh; ta dëshmojmë të vërtetën e Reçakut e të gjithë Kosovës, sepse vetëm e vërteta ndihmon në ndërtimin e një të ardhmeje të bazuar në paqe”.

Komento: