25-vjetori i BQK’së, Kurti ia lë meritat për suksese Muratit dhe Ismailit që ishte drejtor në kohën kur Thesarit iu “avulluan” mbi 2 mln

08:08 | 16 November 2024
25-vjetori-i-bqk’se,-kurti-ia-le-meritat-per-suksese-muratit-dhe-ismailit-qe-ishte-drejtor-ne-kohen-kur-thesarit-iu-“avulluan”-mbi-2-mln

Kryeministri Albin Kurti ka marrë dje pjesë në organizimin për shënimin e 25-vjetorit të themelimit të Bankës Qendrore të Kosovës.

Të pranishmëe, ai iu drejtua edhe me një fjalim. Kurti ka deklaruar se Banka Qendrore e Kosovës është e vetmja Bankë Qendrore në Evropë “e cila mund ta rivalizojë Bankën Qendrore Evropiane për nga dashuria për valutën euro, e të cilën e ka dëshmuar përgjatë këtij një viti si asnjëherë tjetër e si askush tjetër”.

Duke folur për sukseset e kësaj banke, Kurti ua la pak meritat edhe Ministrit të Financave, Hekuran Muratit, duke përmendur se si i njëjti ka punuar në BQK dhe Guvernatorit të BQK’së, Ahmet Ismailit, duke theksuar përvojën e tij në Thesarin e shtetit. Në kohën sa Ismaili ka qenë drejtor, Thesarit të Shtetit i ishin “avulluar” mbi 2 milionë euro, raporton Express.

“Tash kur Kosova është vendosur në hartën botërore të shteteve serioze me politika të qëndrueshme përmes vlerësimit kreditor nga Agjencia e Vlerësimit Kreditor Fitch Rating, integrimi në Zonën Unike Evropiane të Pagesave – SEPA është hapi i radhës që na pret. Ky kapitull i ri në zhvillimin e qëndrueshëm financiar të Kosovës parashihet të reduktojë kohën dhe koston  e transfereve ndërkombëtare duke shtuar efikasitetin dhe integrimin financiar të Kosovës me vendet e BE-së, si dhe duke hapur mundësi për rritje të mëtejshme ekonomike dhe investime të huaja. E ka mundësi që një ndër shkaktarët e këtij suksesi të viteve të fundit mbase është fakti që ministri i Financave ka punuar disa vjen në BQK ndërkaq guvernator i BQK-së ka qenë drejtor i Thesarit të shtetit për disa vjet te Ministria e Financave”, ka thënë Kurti para të pranishmëve.

Kurti tha se përgjatë këtyre 25 viteve, BQK ka përjetuar dhe ka treguar një zhvillim progresiv duke kontribuar kësisoj edhe në rritjen ekonomike të vendit.

“Kjo është realizuar përmes përkushtimit institucional si dhe bashkëpunimit të ngushtë me partnerët tanë ndërkombëtar ku mbështetja e tyre ka qenë tejet domethënëse përgjatë gjithë procesit”, shtoi ai.

Rasti i vjedhjes së mbi 2 milionë eurove nga Thesari i Shtetit kishte ndodhur në tetor të vitit 2020.

Labinot Gruda, atëbotë punëtor i Thesarit të Kosovës, dyshohet se ka bërë transferimin e mbi 2 milionë eurove përmes katër transaksioneve të ndryshme, në llogari të kompanisë, LDA Group Shpk (shoqëri me përgjegjësi të kufizuar), me bazë në Llapushnik, fshat në Komunën e Gllogocit, 30 kilometra larg Prishtinës. Njëri nga pronarët e këtij biznesi ishte edhe Kadri Shala dhe një person tjetër me inicialet V.Sh.

Gjykata Themelore në Prishtinë në vitin 2022 ka shqiptuar dënim me burg dhe gjobë ndaj dy të akuzuarve. Gruda ishte dënuar me 11 vjet burgim dhe me gjobë prej 8.500 eurosh, ndërkaq Kadri Shala me 10 vjet burgim dhe 33.000 euro gjobë.

Gruda dhe Shala, sipas aktgjykimit, duhet të t’ia kompensojnë Ministrisë së Financave dhe Transfereve, dëmin e shkaktuar në vlerë prej 2.077.995.90 euro.

Gruda ishte shpallur fajtor për veprat penale: keqpërdorim i pozitës apo autoritetet zyrtar, hyrje në sistemet kompjuterike, vjedhje e identitetit dhe pajisja e qasjes dhe shpërlarje e parave. Shala ishte shpallur fajtor për ndihmë në ndërlidhje me veprën e keqpërdorimit të pozitës zyrtare dhe për shpërlarje të parave.

Grudës po ashtu i është ndaluar ushtrimi i funksioneve në administratën publike apo në shërbim publik për gjashtë vjet dhe koha e kaluar në vuajtje të dënimit, nuk do t’i llogaritet në kohëzgjatjen e këtij dënimi plotësues.

Në aktgjykim u tha se dy të pandehurve do t’u konfiskohen paratë e ngrira nga gjykata, të cilat janë përfituar si pasojë e aktiviteteve kriminale. Këto mjete parash, u tha se duhet të transferohen në buxhetin e Kosovës.

Po ashtu është urdhëruar konfiskimi i disa automjeteve.

Vendimi ishte vërtetuar edhe nga Gjykata e Apelit.

Komento: