Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka theksuar rëndësinë e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke vlerësuar kontributin amerikan në lirinë dhe shtetndërtimin e vendit.
Në një postim pas pjesëmarrjes në shënimin e Ditës së Pavarësisë së SHBA-së në Ambasadën Amerikane në Prishtinë, Kurti ka përkujtuar vlerat themelore të Deklaratës së Pavarësisë së SHBA-së.
“Jeta, Liria dhe Kërkimi i Lumturisë, janë të veçuara në preambulën e Deklaratës së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në mesin e të drejtave të patjetërsueshme, si themel i qeverisjes që krijohet me miratimin e popullit,” ka shkruar Kurti.
Ai theksoi se populli i Kosovës për një kohë të gjatë ka qenë i privuar nga këto të drejta, ndërsa ka shtuar se përvoja e Kosovës është e lidhur ngushtë me mbështetjen amerikane.
“Prandaj, këmbënguljes dhe sakrificës së popullit tonë për liri e pavarësi, natyrshëm i erdhi ndihma amerikane,” ka deklaruar ai.
Kurti gjithashtu u shpreh mirënjohës për SHBA-në, duke theksuar se Kosova mbetet falënderuese për “ndihmën, partneritetin dhe aleancën e pazëvendësueshme” me Shtetet e Bashkuara.