27 policë të prangosur dhe 55 të suspenduar për gjatë nënë muajve në Kosovë

00:00 | 02 Nëntor 2020

27 policë të prangosur dhe 55 të suspenduar për gjatë nënë muajve në Kosovë.

Inspektorati i Policisë së Kosovës (IPK), gjatë nëntë muajve të parë të këtij viti, ka prangosur 27 policë.

Përfshirja e zyrtarëve policorë në vepra të ndryshme penale, në nëntë muajt e parë të këtij viti ka bërë që Inspektorati Policor i Kosovës (IPK), të pranojë gjithsej 1 mijë e 122 ankesa, ku 410 prej tyre IPK-ja i ka nisur në hetim penal, kurse pesë në hetime disiplinore.

Inspektorati Policor i Kosovës, ka bërë të ditur se 703 ankesa janë dërguar në Drejtorinë e Hetimeve të Brendshme dhe Verifikim të Kaluarës në Policinë e Kosovës (DHBVK) për hetim disiplinor.

“IPK gjatë periudhës nëntë mujore të 2020-ës ka pranuar gjithsej 1122 ankesa, ku prej tyre në Departamentin e Hetimeve -IPK janë dërguar 410 ankesa për hetim penal dhe 5 ankesa janë dërguar në për hetime disiplinore. Në mungesë të elementeve të veprës penale 703 ankesa janë dërguar në Drejtorinë e Hetimeve të Brendshme dhe Verifikim të Kaluarës në Policinë e Kosovës (DHBVK) për hetim disiplinor”, thuhet në përgjigjen e IPK-së dhënë për lajmin.

Sipas IPK-së, këtë vit kanë qenë 92 ankesa më shumë.

“Trend i numrit të ankesave është përafërsisht i njëjtë me atë të vitit të kaluar me një ngritje të vogël krahasuar me vitin e kaluar (92 ankesa më shumë këtë vit)”, kanë bërë të ditur nga IPK-ja.

Për shkak të këtyre ankesave dhe hetimeve që janë bërë, IPK-ja ka arritur që për nëntë muajt e parë të këtij viti të arrestojë plotë 27 policë (zyrtarë policor).

Sipas IPK-së, në mesin e të arrestuarve ka pasur edhe nga stafi civil, përderisa janë suspenduar nga puna gjithsej 55 zyrtarë policor dhe tre nga stafi civil.

“Gjatë periudhës kohore nëntë mujore të 2020-ës Inspektorati Policor i Kosovës, përkatësisht Departamenti i Hetimeve, me autorizim të Prokurorit dhe në bashkëpunim me Policinë e Kosovës ka arrestuar njëzetë e shtatë (27) zyrtarë policorë dhe tre (03) zyrtarë të PK-së nga stafi civil. Me rekomandim të IPK-së janë suspenduar janë pesëdhjetë e pesë (55) zyrtar policor dhe tre (03) staf civil”, thuhet në përgjigjen e IPK-së dhënë për lajmi.net.

Theksojmë se numri më i madh i zyrtarëve policor të arrestuar ndodhi në muajin shtator, ku më 18 shtator Policia e Kosovës ndërhyri në Karaçevë të Poshtme ku po funksionin në mënyrë ilegale kazino.

Në natën e 18 shtatorit, Inspektorati Policor i Kosovës, kishte arritur që t’i arrestojë 12 zyrtarë policorë, nën dyshimet se ata kanë ndihmuar në funksionimin e kazinove ilegale në zonën e Karaçevës.

Komento: