27 vite nga vrasja e Enver Malokut, Abdixhiku nderon jetën dhe veprën e tij

10:26 | 11 Janar 2026
27 vite nga vrasja e Enver Malokut, Abdixhiku nderon jetën dhe veprën e tij

Në 27-vjetorin e vrasjes së Heroit Enver Maloku, Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka kujtuar dhe nderuar jetën dhe veprën e tij si një nga themeluesit e fjalës së lirë në Kosovë.

“Enver Maloku ishte patriot i madh, veprimtar i palodhur i lëvizjes për liri, pavarësi e demokraci dhe një nga figurat më të rëndësishme të publicistikës kosovare. Si themelues i Qendrës për Informim të Kosovës, ai hapi një dritare të fuqishme informimi në kohën e errësirës së madhe, duke e bërë të vërtetën e Kosovës zë që dëgjohej në mbarë botën. Përmes shkrimeve dhe lajmeve të tij, Maloku denoncoi dhunën, masakrat, gjenocidin dhe eksodin e popullit të Kosovës. Më 11 janar 1999, ai u vra pranë banesës së tij në Prishtinë, në moshën 45-vjeçare. Ndonëse nuk arriti ta përjetojë lirinë për të cilën punoi gjithë jetën, vepra e tij mbeti themel i fuqishëm i saj dhe trashëgimi e përhershme për brezat që gëzojnë sot këtë liri”, tha i pari i LDK-së.

Abdixhiku ka theksuar po ashtu se sot kujtohet jo vetëm njeriu që dha gjithçka për Kosovën, por edhe idealet e tij që mbeten udhërrëfyes për të ardhmen, besimi në lirinë e shprehjes dhe mbrojtjen e vlerave kombëtare,.

“Enver Maloku ka lënë gjurmë të pashlyera si burrë i guximshëm, gazetar idealist i një bote të lirë e pa censurë, intelektual i rrallë dhe veprimtar i patrembur. LDK, familja dhe bashkëveprimtarët vazhdojnë të kërkojnë zbardhjen e plotë të vrasjes së tij, e cila mbetet plagë e hapur për shoqërinë. Sot nuk kujtohet vetëm njeriu që dha gjithçka për Kosovën, por edhe idealet e tij që mbeten udhërrëfyes për të ardhmen, besimi në lirinë e shprehjes, në fuqinë e fjalës dhe në mbrojtjen e vlerave kombëtare.

Lavdi jetës dhe veprës së Heroit Enver Maloku!”, tha Abdixhiku.

Komento: