27-vjeçari nga Kukësi i plagosur në Prizren dërgohet për trajtim në Tiranë

17:05 | 03 January 2023

I plagosur në konfliktin e ndodhur në Prizren, 27-vjeçari nga Kukësi dërgohet për trajtim në Tiranë.

Pas konfliktit me armë zjarri që ka ndodhur mëngjesin e sotëm në Prizren ku si pasojë ka ndërruar jetë një person ndërsa një tjetër është plagosur, të dy nga Kukësi, mësohet nga Telegrafi se i plagosuri është transportuar për trajtim të mëtejshëm në Spitalin e Traumës në Tiranë.

Sipas njoftimit paraprak të policisë shqiptare në Morinë, rreth orës 04:25 të mëngjesit, kanë hyrë për në drejtim të spitalit rajonal të Kukësit, shtetasit V. C., 31 vjeç, dhe R. Sh., 27 vjeç, që transportoheshin me automjet nga shtetasi A . B., të tre nga Kukësi, ku shtetasit V. C., dhe R. SH, ishin të plagosur me armë zjarri në Prizren të Kosovës.

Sipas informacionit të dhënë nga spitali për Telegrafin, gjendja e shtetasit R.Sh. është e qëndrueshme dhe jashtë rrezikut për jetën.

Ndërkohë, kryeprokurori Admir Shala në Kosovë në një prononcim për Telegrafin ka treguar dyshimet e para se si ka ndodhur rasti tragjik.

Sipas tij, dyshohet se ngjarja tragjike ka ndodhur pas një konflikti në lokalin ‘Kobra City’ me disa shtetas të Shqipërisë, lidhur me pagesën e faturës së shërbimeve.

“Sot në orën 04:10, policia ka marr informatë se ka pasur të shtëna në afërsi të lokalit ‘Kobra City’, në dalje të Prizrenit rruga Prizren- Kukës. Dyshohet se ngjarja tragjike ka ndodhur pas një konflikti në lokalin ‘Kobra City’ me disa shtetas të Shqipërisë, lidhur me pagesën e faturës së shërbimeve”, ka thënë Shala.

Tutje kryeprokurori theksoi se në momentin që shtetasit V.C., R.Sh dhe A.B, po largoheshin me automjetin e tyre të markës Audi, dyshohet së shtetasi D.H, ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të automjetit të tyre.

Shala tha se Prokuroria Themelore në Prizren së bashku me Policinë e Kosovës, janë duke i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme, me qëllim të sigurimit të provave dhe zbardhjes së rrethanave të ngjarjes.

“Organet e zbatimit të ligjit të Kosovës dhe ato të Shqipërisë janë në bashkëpunim për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes. I dyshuari D.H. dyshohet për veprën penale vrasje e rëndë. Janë ndaluar për 48 orë, 6 persona. Për informata tjera do jeni të informuar”, tha ndër të tjera, kryeprokurori Shala.

Komento: