
Nga 141 zyrtarë publikë që nuk e kishin deklaruar pasurinë, tashmë vetëm 27 prej tyre nuk e kanë përmbushur këtë obligim.
Drejtori i Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, Yll Buleshkaj, në intervistë për Ekonomia Online, tha se për 110 zyrtarët që kanë deklaruar me vonesë, janë shqiptuar gjoba 30 për qind të pagës, ndërsa për 27 të tjerët Agjencia është në përgatitje të kallëzimeve penale.
“Jemi në proces të hartimit të kallëzimeve penale që do t’i dorëzojmë në prokurori. Janë edhe dy persona të tjerë, të cilët nuk i kanë deklaruar pasurinë, por sipas informatave, të cilat i kemi pranuar, dy kanë ndërruar jetë dhe si të tillë janë përmbyllur rastet”, tha ai .
Buleshkaj tha se procesi i korrektimit të deklarimeve me lëshime ka përfunduar dhe se do të ndërmerren hapa për rritjen e përmbushjes së këtij obligimi, përfshirë takimet me institucionet me më shumë raste të mosdeklarimit të pasurisë.
Drejtori i Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit shprehu pakënaqësi me numrin e ulët të aktakuzave pas kallëzimeve, pavarësisht nga bashkëpunimi me prokurorinë dhe policinë.
“Agjencia ka marrëdhënie korrekte me prokurorinë dhe të gjitha institucionet e tjera. Raste tona tashmë ka filluar një trajtim më të shpejtë, qoftë nga prokuroria, qoftë nga policia. Ende nuk jemi shumë të kënaqur me rezultatet finale, sepse kemi dëshirë që secili kallëzim yni të përfundoj si aktakuzë, e cila pastaj të marrë vendim dënues, që nuk është duke ndodhur”, tha Buleshkaj.