
Zgjedhjet e 28 dhjetorit po afrohen, por buxheti për to duket larg. Edhe pse qeveria në detyrë me ngulm e deshti këtë datë për votimin në zgjedhjet parlamentare deri më sot nuk e ka ndarë asnjë cent për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.
Burime brenda KQZ-së kanë konfirmuar se kërkesa zyrtare drejtuar qeverisë ka qenë në vlerën 11.5 milionë euro, por nga ana e ekzekutivit nuk ka ardhur asnjë përgjigje formale. Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, kishte deklaruar para disa ditësh se “do ta gjejnë disi buxhetin”, por nga ajo konferencë e deri më sot nuk ka sinjal. Ndërkohë, afati i parë kritik është vetëm pak ditë larg. Më 12 dhjetor duhet të nisë votimi me postë për votuesit jashtë Kosovës, por ende nuk dihet nëse komisioni do të ketë mundësi ta realizojë këtë pa buxhet.
Ndonëse nga ora 14:00 ky institucion do mbajë mbledhje, e ku në rend dite edhe pse nuk është, por ndoshta pritet ndonjë detaj. E në mbledhjen e kaluar të 25 nëntorit, KQZ-ja miratoi planin e buxhetit për zgjedhjet e 28 dhjetorit, i cili arrin 11,493,526 euro. Shuma është rritur pasi në fund është shtuar një amendament që parasheh dërgimin e pakove me fletëvotime në adresat e votuesve jashtë vendit, një proces që i kushton rreth 3.7 milionë euro dhe është llogaritur për afërsisht 84 mijë votues potencialë.
Jashtë këtyre një gjë është e sigurt ligjërisht. Sipas ligjit për Prokurorimin Publik, asnjë procedurë tenderimi nuk mund të nisë pa u siguruar mjetet financiare, e nga ky rregull nuk përjashtohet as KQZ.
E thirrjet drejtuar ekzekutivit në detyrë i ka nisur anëtari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) nga radhët e PDK-së, Ilir Gashi, i cili bëri thirrje që qeveria në detyrë të ndajë sa më shpejt buxhetin për operacionet zgjedhore. Sipas Gashit, ndarja e buxhetit është parakusht thelbësor për fillimin e përgatitjeve për zgjedhjet, pasi asnjë proces prokurimi apo kontraktimi nga Sekretariati i KQZ-së nuk mund të nisë pa financimin e siguruar.
“Çdo përpjekje për ta parcializuar buxhetin do të konsiderohet ndërhyrje dhe cenim i procesit zgjedhor. Prandaj, buxheti duhet të ndahet pa humbur kohë, në çdo cent, ashtu si është kërkuar”, tha Gashi. /Klankosova.tv