3 vjet e 9 muaj burgim dhe 2 mijë e 800 euro gjobë ndaj tre të akuzuarve për fajde, refuzohet akuza për të katërtin

14:50 | 11 Mars 2026
3-vjet-e-9-muaj-burgim-dhe-2-mije-e-800-euro-gjobe-ndaj-tre-te-akuzuarve-per-fajde,-refuzohet-akuza-per-te-katertin

Gjykata Themelore në Pejë- Dega në Istog, ka shpallur akgjykim dënues ndaj tre të akuzuarve për fajde Ajet Kuqi, Xhevdet Cacaj dhe Idriz Gashi, kurse për Isuf Thaqin u refuzua akuza.

Kuqi dhe Cacaj u dënuan me nga 1 vit e 4 muaj burgim dhe nga 1 mijë euro gjobë, kurse Gashi me 1 vit e 1 muaj burgim dhe 800 euro gjobë.

Sipas aktgjykimi të 4 marsit 2026 të shpallur nga gjykatësi Petrit Nrecaj, tre të akuzuarve iu shqiptua edhe dënimi plotësues- kompensimi i dëmit për të dëmtuarin Rifat Jasiq në shumën 11 mijë e 200 euro (shuma e plotë), raporton “Betimi për Drejtësi“.

“Betimi për Drejtësi” ka publikuar vendimin, sipas të cilit, i akuzuari Ajet Kuqi u dënua me 1 vit e 4 muaj burgim, në të cilin dënim do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim dhe arrest shtëpiak. Po ashtu, ai u dënua me 1 mijë euro gjobë.

Të akuzuarit Kuqi iu shqiptua edhe dënim plotësues- urdhri për kompensim dëmi në shumën prej 5 mijë e 200 euro të dëmtuarit Jasiqi.

Edhe i akuzuari Xhevdet Cacaj u dënua me 1 vit e 4 muaj burgim, në të cilin do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim dhe arrest shtëpiak. Ndaj tij, u shqiptua edhe dënim me gjobë në shumën prej 1 mijë euro.

Gjthashtu, Cacaj obligohet t’ia kompensojë Jasiqit dëmin prej 4 mijë e 800 euro.

I akuzuari Idriz Gashi u dënua me 1 vit e 1 muaj burgim, në të cilin dënim po ashtu i llogaritet koha e kaluar në paraburgim dhe arrest shtëpiak. Gashi u dënua edhe me 800 euro gjobë.

Sikurse për dy të akuzuarit tjerë, edhe Gashit iu shqiptua dënim plotësues- urdhërohet t’ia paguajë të dëmtuarit Jasiq shumën prej 1 mijë e 200 euro.

Në rast se të akuzuarit nuk arrijnë ta paguajnë gjobën, e njëjta iu zëvendësohet me burg, ku një ditë burgim llogaritet për 20 euro gjobë. Kurse, kompensimi i dëmit urdhërohet të paguhet pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit në afat prej 30 ditësh.

Tre të akuzuarit që u dënuan obligohen që secili veç e veç të paguajë nga 192 euro për paushallin gjyqësor dhe nga 20 euro për Fondin për Kompensimin e Viktimave të Krimit.

Kurse, ndaj të akuzuarit Isuf Thaqi u refuzua akuza për shkak të arritjes së parashkrimit absolut të ndjekjes penale për veprën penale që i vihej në barrë.

Pas analizimit të provave, Gjykata ka ardhur në përfundim se të gjitha provat e administruara gjatë shqyrtimit gjyqësor janë të pranueshme, kanë lidhshmëri logjike, kohore, janë bindëse dhe të qarta, dhe kanë harmoni të plotë si me dëshminë e të dëmtuarit, ashtu edhe me provat tjera materiale dhe personale.

Kjo Gjykatë thekson se ia ka falur besimin deklaratave të të dëmtuarit Jasiq, me arsyetimin se ka qenë koherente, kuptimplote dhe e besueshme. Aty thuhet se i dëmtuari ka deklaruar njëjtë në të gjitha fazat e procedurës penale dhe se dëshmia e tij argumentohet nga provat që janë proceduar në shqyrtim gjyqësor.

Sipas Gjykatës, dëshmia e të dëmtuarit gjen mbështetje edhe në vetë pohimet e të akuzuarve në procedurë paraprake.

Në vendim thuhet se Gjykata ia ka falur besimin edhe dëshmisë së dëshmitarit Sh.J.

Për të akuzuarit Kuqi, Cacaj dhe Gashi, pas anaizimit dhe vlerësimit të deklarimit dhe mbrojtjes së tyre, Gjykata ka gjetur se deklaratat e tyre janë të pabesueshme, kundërthënëse me provat dhe kanë qëllim shmangien e përgjegjësisë penale. Andaj, Gjykata nuk ua ka falur besimin mbrojtjes së tyre.

Gjithnjë sipas vendimit, provat ishin në përputhshmëri me njëra-tjetrën dhe nga to vërtetohet ekzistimi i të gjitha elementeve objektive dhe subjektive të veprave penale që iu vihen në barrë të akuzuarve.

Andaj, pas vlerësimit të të gjitha provave, Gjykata thekson se vërtetohet përtej dyshimit të bazuar mirë se të akuzuarit kanë kryer veprat penale që iu viheshin në barrë.

Gjykata ka konstatuar se tre të akuzuarit kanë vepruar me dashje direkte, duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të të dëmtuarit, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror.

Me rastin e caktimit të lartësisë së dënimit, Gjykata vlerëson se për tre të akuzuarit nuk janë gjetur rrethana lehtësuese, kurse rrethanë rënduese është marrë shkalla e lartë e dashjes nga ana e të akuzuarve për kryerjen e veprës penale.

Ndërsa, për dënimin plotësues, thuhet se janë shuma që të akuzuarit i kanë përfituar me kryerjen e veprës penale, e me të cilat shuma i është shkaktuar dëm të dëmtuarit Rifat Jasiqi.

Të akuzuarit Arbër Gashi, Ajet Kuqi, Xhevdet Cacaj, Idriz Gashi, Shërbim Berisha, Blerim Thaqi dhe Isuf Thaqi, ngarkohen për veprën penale të fajdesë, në dëm të dëmtuarit Rifat Jasiq. Për të akuzuarin Blerim Thaqi ishte veçuar procedura penale dhe i njëjti është dënuar me 2 vjet burgim dhe 2 mijë euro gjobë për “Fajde”. Ai po ashtu obligohet që pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit në afat prej 30 ditësh t’ia kompensojë të dëmtuarit Jasiq 16 mijë e 650 euro.

Kurse, për të akuzuarin Shërbim Berisha pocedura është veçuar më 28 tetor 2025. Me aktgjykimin e 13 janarit 2026, ai u dënua me 1 vit e 8 muaj burgim dhe 1 mijë e 500 euro gjobë.

Ndërkaq, për të akuzuarin Arbër Gashi, proceduar u veçua në seancën e 27 janarit 2026.

Sipas aktakuzës të ngritur nga Prokuroria Themelore në Pejë, më 13 korrik 2018, të akuzuarit ngarkohen për veprën penale të fajdesë, në dëm të dëmtuarit Rifat Jasiq.

Sipas aktakuzës, G.D., akuzohej se në vitin 2015 kishte shfrytëzuar gjendjen ekonomike të dëmtuarit Rifat Jasiq, duke kontraktuar kamatë jopropercionale në këmbim të hollave. Sipas akuzës, i pandehuri i kishte dhënë të dëmtuarit shumën prej 90 mijë euro me kamatë prej 5% në muaj. Ndërsa sipas dispozitivit të dytë, D., akuzohej se i kishte dhënë shumën prej 23 mijë euro me kamatë prej 10% në muaj dhe pasi i dëmtuari nuk e paguan në tërësi kamatën, i pandehuri ia shton borxhin bazë në shumë prej 27 mijë euro dhe kamatën prej 7 mijë euro.

I pandehuri Arbër Gashi akuzohet se në Deçan, në vitin 2014 dhe vitin 2015, i kishte dhënë të dëmtuarit shumën prej 4 mijë euro me kamatë 10% në muaj dhe shumën prej 17 mijë euro në këmbim të kamatës prej 10% në muaj.

I pandehuri Ajet Kuqi akuzohet se në vitin 2016, të dëmtuarit i kishte dhënë shumën prej 10 mijë euro me kamatë mujore prej 8% në muaj.

I pandehuri Xhevdet Cacaj akuzohet se në vitin 2015, të dëmtuarit ia kishte dhënë me fajde shumën prej 5 mijë euro me kamatë prej 7% në muaj, ndërsa në vitin 2016 akuzohet se i kishte dhënë përsëri të dëmtuarit shumën prej 2 mijë euro me kamatë mujore prej 10% . Ndërsa sipas dispozitivit të tretë, i njëjti akuzohet se e kishte ngarkuar të dëmtuarin me 15% kamatë mujore, për të hollat e dhëna në shumë prej 6 mijë euro në muaj.

I pandehuri Idriz Gashi akuzohet se më 2016, të dëmtuarit i kishte dhënë hua me fajde në shumë prej 6 mijë euro, me kamatë prej 15% në muaj.

I pandehuri Përparim Rexhepi akuzohet se i dha të dëmtuarit shumën prej 15 mijë euro, me kamatë mujore prej 6%.

I pandehuri Shërbim Berisha akuzohet se i kishte dhënë të dëmtuarit shumën prej 15 mijë euro, me kamatë mujore prej 5% në muaj apo 750 euro në muaj. Tutje, i pandehuri Blerim Thaqi akuzohet se i kishte dhënë të dëmtuarit shumën prej 15 mijë euro, me kamatë mujore prej 3 % në muaj.

I pandehuri Isuf Thaqi akuzohet se i kishte dhënë të dëmtuarit në periudha të ndryshme kohore shumën prej 20 mijë euro, me kamatë prej 5% në muaj. Kurse, i akuzuari Qamil Pajaziti akuzohet se i kishte dhënë të dëmtuarit shumën prej 4 mijë euro, me kamatë mujore prej 7.5%, përkatësisht nga 300 euro në muaj.

Me këto veprime, ata akuzohen se në vazhdimësi kanë kryer veprën penale “Fajdeja”, nga neni 343, paragrafi 1 dhe lidhur me nenin 81 të KPRK-së.

Ndryshe, në këtë rast akuzohej edhe L.K., mirëpo për të njëjtin kishte pushuar procedura penale për shkak se ka ndërruar jetë. Sipas aktit akuzues, ai akuzohej se i kishte dhënë të dëmtuarit shumën prej 10 mijë euro me kamatë mujore prej 4% në muaj, kurse pas pagesës nga i dëmtuari të kamatës në shumë prej 1 mijë e 200 euro, ai ia kishte rritur përqindjen në 5% në muaj, ku i njëjti për periudhën prej 12 muaj paguan 500 euro në muaj në emër të kamatës.

Komento: