
Zëvendëskryeministri i Serbisë dhe ministri i Punëve të Brendshme, Ivica Daçiq, ka deklaruar se D.M i arrestuar në pikën kufitare mes Serbisë dhe Kroacisë, i është caktuar masa e paraburgimit deri në 30 ditë.
Sipas deklaratës së Daçiqit, D.M, 47-vjeçar, po mbahet nën dyshimet e autoriteteve serbe për pretendime lidhur me krime ndaj civilëve gjatë luftës në Kosovë më 1999.
Daçiq ka pretenduar se ekzistojnë “baza dyshimi” se Maxhuni ka kryer krime ndaj pjesëtarëve të dy familjeve gjatë qershorit të vitit 1999 në fshatin Bec të Gjakovës.
Ai ka bërë të ditur se pas ndalimit fillestar prej 48 orësh, Maxhuni është dërguar para Prokurorisë për Krime Lufte në Beograd.
“Pas vendimit të gjyqtarit të procedurës paraprake të Dhomës për Krime Lufte të Gjykatës së Lartë në Beograd, atij i është caktuar paraburgimi deri në 30 ditë”, ka deklaruar Daçiq.
Lidhur me këtë rast, kishte njoftuar një ditë më parë edhe avokati nga Kosova, Arianit Koci.
Koci kishte bërë të ditur se Dugagjin Maxhuni, nga Beci i Gjakovës, i lindur më 10 maj 1979, ishte ndaluar nga autoritetet serbe gjatë kalimit të kufirit Serbi-Kroaci.
“Fillimisht është ndaluar për verifikim. Pas disa orësh, familja është njoftuar se ai është transferuar në Beograd dhe se procedurat ndaj tij po vazhdojnë”, kishte shkruar Koci.
Ai kishte theksuar se në atë kohë nuk ishin të qarta rrethanat dhe baza juridike e ndalimit.
“Për momentin ende nuk janë të qarta rrethanat dhe baza juridike e ndalimit. Jam duke i verifikuar informacionet dhe duke e përcjellë rastin”, kishte deklaruar Koci.
Serbia kohët e fundit ka intensifikuar arrestimet e shtetasve të Kosovës, kryesisht shqiptarëve, nën pretendimet për dyshime lidhur me krime lufte gjatë luftës së viteve 1998-1999 në Kosovë.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës, në reagimet e saj për raste të ngjashme, ka shprehur shqetësim për, siç ka thënë, “intensifikimin e rasteve të arrestimeve arbitrare dhe të paprovokuara të qytetarëve të Republikës së Kosovës nga autoritetet e Serbisë”.
MPJD-ja i ka cilësuar këto arrestime si “praktika të papranueshme dhe destruktive të autoriteteve serbe”, duke kërkuar edhe reagim nga bashkësia ndërkombëtare.
Ministria gjithashtu u ka bërë thirrje shtetasve të Kosovës që të shmangin udhëtimet përmes territorit të Serbisë.