30 organizata e sindikata kundërshtojnë ligjin për pagat dhe për zyrtarë publikë

16:06 | 24 December 2022

Konsorciumi për të Drejtat e Punës dhe Koalicioni për Drejtësi Shoqërore dhe të Drejta Socio-Ekonomike ka shprehur shqetësimin për vërejtjet dhe problemet për ligjin për pagat dhe ligjin për zyrtarë publikë.

Në një komunikatë për media, 30 organizata e sindikata janë ankuar se ligji për pagat është miratuar pa përcaktuar koeficientin, ndërsa sipas tyre ligji i për zyrtarë publikë i miratuar në këtë formë rrezikon të shtojë ndikimin në shërbimin civil.

Komunikata e plotë:

Kuvendi i Kosovës ka miratuar të enjten, në lexim të dytë, Projektligjin për Pagat në Sektorin Publik dhe Projektligjin për Zyrtarët Publik.

Konsorciumi për të Drejtat e Punës dhe Koalicioni për Drejtësi Shoqërore dhe të Drejta Socio-Ekonomike shprehin shqetësimin lidhur me vërejtjet dhe problemet për këto dy projektligje, të ngritura edhe më parë nga organizatat e nënshkruara në këtë reagim, organizata të tjera të shoqërisë civile dhe sindikale, si dhe organizata ndërkombëtare në Kosovë.

Ligji për Pagat, i cili ka për qëllim të harmonizojë pagat në sektorin publik, është miratuar pa e përcaktuar vlerën monetare të koeficientit i cili përdoret për të caktuar lartësinë e pagave, duke pamundësuar kështu diskutimet më të thella mbi vlerat e pagave nga grupe të ndryshme shoqërore, si dhe duke cenuar parimet e sigurisë juridike dhe ligjshmërisë.

Për më tepër, Ligji për Zyrtarët Publik, i cili ka për qëllim rregullimin e marrëdhënies së punës së zyrtarëve publik në institucionet e Republikës së Kosovës, në formën në të cilën është miratuar rrezikon të shtojë ndikimin politik në shërbimin civil.

Konsorciumi për të Drejtat e Punës dhe Koalicioni për Drejtësi Shoqërore dhe të Drejta Socio-Ekonomike shprehin shqetësimin që miratimi i këtyre dy ligjeve në këtë formë rrezikon ta kthejë tërë procesin në pikën zero, varësisht nga vlerësimi i kushtetutshmërisë nga Gjykata Kushtetuese. Po ashtu, nënvizojmë edhe nevojën që ligjet e një rëndësie të tillë të miratohen me dakordim më të gjerë politik në Kuvendin e Kosovës.

Komento: