30 për qind e buxhetit të Kosovës mbushet nga sektori i naftës

10:08 | 18 January 2025
30-per-qind-e-buxhetit-te-kosoves-mbushet-nga-sektori-i-naftes

Në Kosovë, sektori i naftës po luan një rol të rëndësishëm në ekonominë e vendit, duke kontribuar me rreth 30 për qind në buxhetin e përgjithshëm shtetëror. Brenda 24 orëve, në vend hyjnë rreth 100 autobota, që përkthehet në 3 milionë litra karburant, këtë e ka konfirmuar, kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Fadil Berjani.

Sipas një publikim, importi i naftës në Kosovë ka qenë në top 10 kategoritë me më së shumti import gjatë vitit 2024, me një vlerë prej 587 milion euro.

Berjani ka shtuar se duke u bazuar në monitorimet e Ministrisë së Tregtisë, cilësia e derivateve të naftës është në nivel të kënaqshëm dhe përputhet me standardet e vendeve të rajonit.

“Sa i përket importit, ne import brenda 24 orëve kemi që hyjnë rreth 100 autobota, çka do të thotë 3 milion litra. Kështu që 30 për qind buxhetin e Kosovës mbushet nga sektori i naftës. Sipas monitorimit të Ministrisë së Tregtisë sektori i naftës është në nivelin e duhur, cilësia është në nivelin e duhur, siç e kanë shtet në regjion derivatet e naftës janë të njëjta edhe të ne në Kosovë”, ka thënë ai.

Ai ka deklaruar se çmimet e karburanteve në Kosovë janë ndër më të ulëtat në rajon, përveç Maqedonisë së Veriut. Aktualisht, çmimi i naftës varion nga 1.25 deri në 1.31 euro për litër, ndërsa benzina shitet me çmime nga 1.27 deri në 1.32 euro për litër.

Berjani ka theksuar se trazirat në rajon dhe në botë nuk mund të kenë ndikim në ngritjen e çmimit të naftës.

“Mund ta them lirisht që mbi tre muaj çmimet kanë qenë shumë stabile. Në Kosovë derivatet e naftës sillet, dizeli 1 euro e 25 cent deri në 1 euro e 31 cent, benzina 1 euro e 27 cent deri në 1 euro e 32 cent. Mund të them lirisht se jemi më të lirët në regjion përveç Maqedonisë Veriore e cila gjithherë ka qenë më e lirë dizeli se te në, jemi të barabarte me çmime me Maqedoninë Veriore. Qytetarët tanë furnizohen me çmimet më të lira në regjion. Ne nuk mund të prekim asgjë nga këto trazirat të cilat janë duke u bërë, qytetarët tanë nuk kanë nevojë për panik, e kemi rastin edhe në Serbi që është embargo, rast konkret ne nga Serbia zero import kemi që disa vite. Prandaj, nuk ka nevojë për panik, çmimet janë stabile është një rritje e lehët e çmimeve por sado kudo qytetarët duhet të jenë të kënaqur se furnizohen me çmime më të lira në regjion”, ka thënë ai.

Berjani tha se një nga zhvillimet më të rëndësishme në sektor është miratimi i Ligjit për Naftën nga qeveria aktuale, pas një dekade pritjeje, duke theksuar se kërkesat e tyre kryesore janë përfshirë në ligj.

Reduktimi i kostove për licencat dhe pajisjet është një tjetër arritje që ai ka përmendur, me licencat që nga 3-4 mijë euro kanë rënë në vetëm 50 euro, ndërsa çmimi i kalibrimit të pistoletave është ulur nga 36 euro në 10 euro.

“Sa i përket kësaj unë nuk kisha dashur që të flas politikisht por mund të them lirisht se me qeverinë e Albin Kurtit ligji i naftës ka kaluar pas një dekade. Të gjitha kërkesat e shoqatës së naftëtarëve janë inkorporuar në ligjin të cilin ka kaluar pas një dekade. Bizneset janë shumë të kënaqura, rast konkret më herët një licenca e importi ka qenë tre deri në katër mijë euro, sot një licenca është 50 euro, kalibrimi i një pistoletave ka kushtuar 36 euro tash kushton 10 euro. Sektorin i naftës është në nivelin e duhur është i rregulluar, të gjitha kërkesat tona janë inkorporuar në ligjin e naftës. Tash është duke u bërë udhëzimi administrativ ku ne si shoqatë kemi kërkuar të Ministrja Rozeta Hajdari që kur të monitorohet cilësi e naftës mos të paguan biznesi por të paguaj shteti edhe kjo është marr parasysh”, ka thënë ai./EO

Komento: