Të dielën një 30-vjeçar në Deçan e ka këputur dorën derisa po punonte në mishtoren e xhaxhait.
Mirëpo, sipas repartit të Kirurgjisë, ai është jashtë rrezikut për jetë.
Dita e diel për punëtorët e mishtores “Vëllëzërit Neziraj” në Deçan, pothuajse çdo javë është ditë pushimi.
Megjithatë një ditë më parë, njëri nga ta, jo siç ndodhë zakonisht, doli për t’i kryer disa punë të papërfunduara.
Por, puna në ditë pushimi për Enis Nezirajn ishte tragjike.
Makina për bluarjen e mishit ia këputi 30-vjeçarit shuplakën e dorës.
Xhaxhai i tij, njëherësh shef i mishtores, tregon për T7 se si ndodhi ngjarja.
“Ai ka dalë me i shërby vetes dhe shoqërisë, dhe kur ka ardhë në dogajë e kemi marrë vesh që u habit edhe e ka shti dorën vetë në maqinë dhe e ka pasë një aksident të rëndë, e ka humbur dorën”, deklaroi axha i Enis Nezirajt
30-vjeçari fillimisht ishte dërguar në Urgjencën e Deçanit.
Por, për shkak të gjendjes së rëndë, më pas ishte transferuar në QKUK.
Nga reparti i Kirurgjisë Plastike në Prishtinë kanë treguar se gjendja e pacientit është jashtë rrezikut për jetë.
“Pacienti i është nënshtruar një intervenimi në shuplakë të dorës, në të cilën i është bërë amputimi, gjithashtu i kemi thirrur ekipet për konsultë, meqë pacienti është me diabet. Gjendja e tij është stabile dhe jashtë rrezikut për jetë”
Lidhur me rastin është njoftuar Prokuroria Themelore në Pejë, që edhe kanë nisur hetimet.
Për rastin është njoftuar edhe Inspektorati i Punës, që po ashtu është duke mbledhur të dhëna për ngjarjen.