Sllovakia do të shpërndajë të holla për qytetarët mbi 60 vjeç, me qëllim që të pranojnë të vaksinohen.
Parlamenti miratoi sot pagesën, duke i dhënë “dritën jeshile” një propozimi të qeverisë, i cili fillimisht synonte të shpërndante kupona për hotele apo restorante, por në fund zgjodhi të ofronte para në dorë.
Ata që do të bëjnë dozën përkatëse deri në mesin e janarit do të përfitojnë 300 euro, ndërsa ata mbi 60 vjeç që janë regjistruar në platformën e vaksinimit deri atëherë do të përfitojnë shumën prej 200 euro.
Sllovakia nuk është vendi i parë që zgjedh këtë metodë. Në tetor, Zvicra u ofroi qytetarëve që ishin bindur nga miqtë e tyre që të vaksinoheshin kundër Covid-19 ushqime falas në restorante dhe bileta filmash.
Qyteti amerikan i Houston, në gusht, njoftoi se do të paguante 100 dollarë për këdo që merr dozën e parë të një vaksine Covid-19.
Sllovakia, me një popullsi prej 5.5 milion banorësh, është goditur rëndë nga vala e fundit e epidemisë dhe ka rivendosur masa bllokimi pasi spitalet e saj janë plot.