
Vdekjet dhe lëndimet në vendin e punës raportohen ndryshe nga Sindikata e Punëtorëve të Sektorit Privat, e ndryshe nga Inspektorati Qendror i Punës. E para pohon se numri i personave që humbën jetën në vendin e punës, vetëm gjatë vitit 2025 është 32, ndërkaq rreth 2 mijë i atyre që u lënduan.
Ndërkaq, Inspektorati i Punës raporton numër gati përgjysmë më të ulët. Në një përgjigje për Kiks Kosovën, nga ky institucion pohojnë se ndërtimtaria vazhdon të jetë sektori më i pasigurt i punës. Mirëpo, Sindikata dhe Inspektorati janë të një fjale se ndër shkaktarët e vdekjeve dhe lëndimeve në vendin e punës është mungesa e kushteve të sigurta dhe të shëndetshme në punë.
Barrë e madhe për punëtorët mbetet mungesa e sistemit të sigurimeve shëndetësore, si pasojë e të cilës, ata detyrohen t’i mbulojnë vetë shpenzimet e shërimit të tyre. Jusuf Azemi, Kryetarë i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës (SPSPK), ngre dyshime se pas ngecjes së këtij projekti 12-vjeçar mund të fshihet mafia shëndetësore. Kryesindikalisti akuzon qeveritë e mëparshme dhe aktualen që është në detyrë, se pavarësisht zotimeve, nuk kanë lëvizur asnjë gur për implementimin e Ligjit për Sigurime Shëndetësore.
Megjithatë, në formën dhe mënyrën si është hartuar, Azemi pohon se ky ligj nuk mbron interesin e punëtorëve. Si mangësi tjetër të këtij ligji, ai vlerëson mos klasifikimin dhe mos përfshirjen e sëmundjeve profesionale. Pikërisht mungesa e sigurimeve shëndetësore, thotë ai, është shkaku më i shpeshtë i ikjes së punëtorëve jashtë vendit.