36 gra në burgun e Lipjanit, vrasje, vjedhje, prostitucion veprat për të cilat janë të dënuara

19:37 | 26 September 2021

Qendra Korrektuese në Lipjan është specifike për sa i përket kategorisë së të burgosurve për arsyeje se është e vetmja qendër në Republikën e Kosovës që akomodon të mitur dhe femra të burgosura, si dhe pranon të burgosur të kategorive të ndryshme.

Këto kategori të të burgosurve janë të ndara ndërmjet veti dhe nuk kanë qasje njeri me tjetrin në pavijone.

Në këtë qendër aktualisht ndodhen 36 femra, 22 prej tyre të dënuara për vepra të ndryshme, vrasje, tentim vrasje etj. Kështu ka bërë të ditur për Gazetën Online Reporteri. net, Florent Gashi zëdhënës i Shërbimit Korrektues të Kosovës.

“Aktualisht në Qendrën Korrektuese për Femra në Lipjan janë 36 femra të burgosura, prej tyre 22 janë të dënuara, ndërsa 14 janë të paraburgosura”, ka thënë Gashi për Reporteri.net

Ai thotë se ato janë të dënuara për vepra të ndryshme.

“Janë të dënuara kryesisht për vepra penale, si: vrasje, vrasje në tentativë, dhunë në familje, prostitucion, vjedhje, lëndim i lehët trupor, posedim i paautorizuar i narkotikëve”, ka thënë Gashi.

Nën petkun e portokalltë, gratë, vajzat dhe të miturat, në orare të caktuara shfrytëzojnë edhe kohën e lirë brenda kësaj hapësire.

Në Qendren Korrektuese në Lipjan, ekzistojnë edhe fusha sportive dhe qendra tjera rekreative, ku shfrytëzohen nga ata që janë prapa grilave.

Brenda këtij burgu ka hapësirë edhe për nëna me fëmijë të porsalindur, të cilave iu sigurohet qëndrimi në atë pjesë derisa fëmiju i tyre të mbush 18 muaj.

Komento: