37 shefat e misioneve diplomatike nën llupën e AKI-së

08:03 | 15 August 2019

AKI-ja vë llupën mbi 37 shefat e misioneve diplomatike.

Llupa e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI) është vendosur mbi të gjithë shefat e misioneve diplomatike që shteti i ka nëpër botë. Atyre do t’iu bëhet verifikimi i sigurisë.

Një burim i gazetës ka treguar se në javën e parë të gushtit të 37 drejtuesve të misioneve iu janë përcjellë pyetësorët e sigurisë. Mbi bazën e përgjigjeve dhe verifikimit pasues, AKI-ja do të konstatojë nëse ndonjë nga shefat e misioneve përbën rrezik të papranueshëm për sigurinë, shkruan sot “Koha Ditore”. Të tillët nuk do të pajisen me certifikatë të sigurisë, pa të cilën nuk mund të sigurohet qasja në informacione të klasifikuara, e për pasojë as të ushtrohet detyra e shefit të misionit.

Informatën për nisjen e këtij procesi e kanë konfirmuar në Ministrinë e Punëve të Jashtme.

“Ministria e Punëve të Jashtme ka dërguar në proces të verifikimit 37 shefa të misioneve (ambasadorë, të ngarkuar me punë, si dhe shefa të misioneve në konsullatat e përgjithshme)”, thuhet në një përgjigje të shkruar të Ministrisë. “Ky proces ka nisur të planifikohet në fund të vitit të kaluar dhe deri në shtator 2019 do të finalizohet”.

Ligji në fuqi përcakton që AKI-ja është autoriteti verifikues, i cili ka përgjegjësi për të zhvilluar procedura të verifikimit të sigurisë për të gjitha institucionet publike të Kosovës dhe kontraktuesve të tyre.

Komento: