4 muaj burgim ndaj të akuzuarit për blerje të sendeve të përfituara me vepër penale

11:33 | 03 Prill 2024
4-muaj-burgim-ndaj-te-akuzuarit-per-blerje-te-sendeve-te-perfituara-me-veper-penale

Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarit, Trim Baraku për veprën penale “Blerja, pranimi ose fshehja e sendeve të përfituara me kryerjen e veprës penale”, duke e dënuar me 4 muaj burgim efektiv.

Baraku është po ashtu njëri nga të dyshuarit për grabitjen e argjendarisë në Suharekë, në nëntor të vitit të kaluar.

Nga zyra e gjykatësit të rastit, Sabit Sadikaj, kanë bërë të ditur se aktgjykimi ndaj Barakut u shpall të martën.

I akuzuari e kishte pranuar fajësinë në seancën e mbajtur më 29 mars 2024, duke pranuar se i kishte blerë gjërat për të cilat akuzohej.

Ndryshe në këtë rast se bashku me të akuzuarin, Baraku për veprën penale “Blerja, pranimi ose fshehja e sendeve të përfituara me kryerjen e veprës penale”, akuzohet edhe Endrit Maxhuni, i cili ishte deklaruar i pafajshëm në seancën e datës 14 mars 2024 dhe dnaj të njëjtit është veçuar procedura.

Sipas aktakuzës së përpiluar më 11 gusht 2022, thuhet se i akuzuari Endrit Maxhuni më 22 dhjetor 2021 rreth orës 11:00 në Prishtinë e kishte blerë sendin-veturën “Opel Astra”, për të cilën ka pasur mundësi ta dinte se është e përfituar përmes veprës penale me një çmim joproporcional-real. Andaj, me këto veprime ngarkohet se ka kryer veprën penale “Blerja, pranimi ose fshehja e sendeve të përfituara me kryerjen e veprës penale” nga neni 333, paragrafi 1 i Kodit Penal.

Kurse, në pikën dy të aktakuzës akuzohej Trim Baraku, i cili thuhet se më 16 dhjetor 2021 rreth orës 15:00 në Prishtinë e kishte blerë veturën, një zinxhirë të arit dhe një laptop, me një çmim joproporcional-real.

Andaj, me këto veprime ngarkohej për veprën penale “Blerja, pranimi ose fshehja e sendeve të përfituara me kryerjen e veprës penale” nga neni 333, paragrafi 1 i Kodit Penal.

Sipas aktakuzës, ndaj Maxhunit dhe Barakut është ngritur aktakuzë me kërkesë për shqiptimi të urdhrit ndëshkimor.

Ndryshe, i akuzuari Trim Baraku dyshohet për përfshirje në rastin e grabitjes së një argjendarie në “Suharekë” më 22 nëntor 2023, e për të cilin rast gjendet nën masën e paraburgimit bashkë me të dyshuarit Bujar Basha, Besart Istrefi dhe Leutrim Cakolli.

Komento: