4 vjet më parë, Kosova u pranua në UEFA

09:26 | 03 May 2020

Kombëtarja e Kosovës ka bërë 4 vjet nga pranimi në UEFA.

Në këtë ditë katër vjet më parë, Kosova u pranua në UEFA, organin qeverisës të futbollit evropian, përkundër kundërshtim dhe lobim të ashpër nga Serbia.

Në Kongresin e UEFA-s më 3 maj 2016, Kosova u bë anëtari i 55-të i shtëpisë evropiane të futbollit, me 28 vota pro, 24 kundër. Dy vota ishin shpallur të pavlefshme.

Pranimi në UEFA i hapi rrugë aplikimit për anëtarësim dhe përfundimisht edhe pranim po ashtu në FIFA, shtëpinë e futbollit botëror, i cili erdhi vetëm 10 ditë më vonë, më 13 maj.

Pranimi në UEFA ua mundësoi klubeve të ligës elitare kosovare, Superligës, të garojnë për pjesëmarrje në garat evropiane, Ligën e Kampionëve dhe Ligën e Evropës.

Rol kyç dhe kryesor për ta bindur Kongresin e UEFA-s ta pranojë Kosovën si anëtare të venten luajti ish-presidenti i FFK-së dhe legjenda e futbollit kosovar, Fadil Vokrri, i cili vdiq dy vjet më pas.

Kombëtarja e Kosovës është në rrugë të mirë për t’u kualifikuar në Kampionatin Evropian për herë të parë në historinë e vet, vetëm katër vjet pas pranimit.

Verdhekaltrit do të mundë ta arrijnë këtë përmes Ligës së Kombeve – turneut të parë të UEFA-s në të cilën morën pjesë pas pranimit.

Kosova la mbresa të mëdha në garën inauguruese të UEFA-s duke e fituar grupin e vet dhe duke e siguruar promovimin që ia siguroi një vend në play-off për kualifikim në Kampionatin Evropian 2020 (i shtyrë për verën e vitit 2021 për shkak të pandemisë koronavirus), në një ndeshje gjysmëfinale kundër Maqedonisë së Veriut dhe një finale të mundshme kundër Bjellorusisë apo Gjeorgjisë.

Kombëtarja dardane mori pjesë për herë të parë edhe në kualifikimet tradicionale për evropian, duke luftuar për kualifikim direkt deri në ndeshjen e parafundit.

Rritja e madhe e ekipit kombëtar të Kosovës vetëm katër vjet pas pranimit në dy shtëpitë e futbollit evropian dhe botëror mund të shpërblehet me sigurimin e një vendi në Evropianin e ardhshëm.

Komento: