
40 vjeҫarja korovare shtatzënë vdiq nga koronavirusi gjatë ditës së sotme.
Infektologu Valbon Krasniqi, në një intervistë për “Përballje ditore” me kryeredaktorin Muhamet Hajrullahu në Telegrafi.com, ka folur për gjendjen në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare dhe për rastin e gruas shtatzënë, 40 vjeçare, e cila ishte duke u trajtuar për COVID-19, në Klinikën Infektive.
Krasniqi tha se pacientja në fjalë e cila ndërroi jetë pas mesnatës, ka qenë e shtrirë dhe në gjendje të rëndë në repartin Intensiv të Klinikës Infektive.
“E ndjera tashmë, ka ardhur në Klinikën Infektive me datën 15 prill dhe që nga momenti që ka ardhur, ka qenë vazhdimisht në gjendje të rëndë, praktikisht edhe kur ka ardh në Klinikën Infektive ka qenë e intubuar dhe në atë gjendje ka vazhduar trajtimin në repartin Intensiv të Klinikës sonë”, tha Krasniqi.
Infektologu bëri të ditur po ashtu se gjendja e disa pacientëve të shtrirë në Intensiv është e rëndë, ndërsa bëri thirrje edhe njëherë që qytetarët të kenë kujdes maksimal.
“Siç edhe kemi raportuar, nëpër komunikata vazhdimisht gjendja e saj dhe atyre që janë shtrirë në repartin intensiv ka qenë shumë e rëndë, ka qenë kritike, dhe ajo fatkeqësisht pas mesnatës përfundoi me një ecuri fatale. Përsëri apelin tonë për të gjithë qytetarët që të kenë kujdes maksimal ndaj higjienës personale dhe shmangie të kontaktit me persona të cilët janë jashtë familjes”, tha Krasniqi.
Ai tha se megjithëse një numër i madh i rasteve do të kalojnë infeksionin më lehtë, 20 për qind e të infektuarve mund të kenë simptoma më të rënda dhe disa nga ta do të përfundojnë edhe me fatalitet.“Edhe pse ne e kemi bërë të ditur se në shumicën e rasteve ky infeksion do të kaloj në forma të lehta deri tek të moderuara, megjithatë diku deri në 20 për qind të rasteve sëmundja do të manifestohet, dhe disa prej tyre, fatkeqësisht mund të përfundojnë me ecuri fatale, në veçanti grupet që i kemi përmendur që janë më të rrezikuara, edhe ndaj këtyre grupeve ne duhet të kemi kujdes maksimal”, tha Krasniqi në “Përballje ditore”.