Lëvizja Vetëvendosje nuk e ka ndërmend t`i ndalë veprimet që cenojnë integritetin e procesit zgjedhor jashtë vendit.
Pavarësisht nisjes së hetimeve nga Prokuroria e Shtetit për cenim të fshehtësisë së votimit jashtë vendit, partia në pushte ka vazhduar aktivitet e kundërligjshme për të organizuar takime për plotësimin e fletëvotimeve në diasporë.
Yllka Kurteshi, familjare e anëtarit të VV-së në KQZ, Sami Kurteshi, dhe e kandidatit të VV-së për deputet, Smajl Kurteshi, ka treguar se sa mërgimtarë ka asistuar për plotësimin fletëvotimeve për zgjedhjet e 9 shkurtit.
Në profilin e saj në “Facebook”, ajo ka shkruar se deri me tani ka ndihmuar 450 votues për të mbushur fletëvotimet e tyre.
Gjithashtu, ajo ka bërë me dije se më 26 janar, këtë të diele, do të ketë edhe një takim të tillë.
“Deri tani, 450 persona nga Gjeneva dhe Franca janë lajmruar tek ne për t’ju ndihmuar rreth procesit të votimit me postë. Ju mirëpresim të dielën me 26 JANAR 2025 në dy adresa, nga ora 10h deri në 18h : Chemin du Morglas 8, 1214 Vernier; Rue de Lyon 6, 1201 Genève. Eja dhe hidhe votën për atdhe!”, ka shkruar ajo.
Një ditë më parë U.D. Kryeprokurori i Shtetit ka kërkuar nga kryeprokurorët e prokurorive angazhim në mbrojtjen e votës së lirë të qytetarëve të Republikës së Kosovës.
“Ushtruesi i Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, z. Besim Kelmendi së bashku me Koordinatoren Nacionale për Zgjedhje, prokuroren nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, znj. Laura Pula, kanë mbajtur takim me kryeprokurorët e të gjitha prokurorive në vend ku të pranishëm ishin edhe përfaqësuesit e Ambasadës Amerikane në Kosovë si dhe Menaxheri i projektit strategjik “Mbrojtja e votës”, në kuadër të sistemit prokurorial, z. Besim Kusari. Në këtë takim, U.D. Kryeprokurori Kelmendi kërkoi nga Koordinatorja Nacionale për Zgjedhje, znj. Pula dhe kryeprokurorët e prokurorive angazhim të shtuar lidhur me mbrojtjen e votës së lirë të qytetarëve të Republikës së Kosovës për zgjedhjet nacionale që do të mbahen më 9 shkurt 2025”, është thënë në njoftimin e Këshillit Prokurorial.
Ndër të tjera, është thënë gjatë këtij takimi është diskutuar për koordinimin në mes të prokurorive dhe Koordinatores Nacionale lidhur me të gjitha aktivitetet e Prokurorit të Shtetit që do të ndërmerren në rast se do të ketë cenim të procesit zgjedhor.
“Në këtë takim të pranishmit u informuan nga Koordinatorja znj. Pula, se pas pranimit të informatave lidhur me dy raste të dyshuara në drejtim të veprës penale “Cenimi i fshehtësisë së votimit”, nga neni 215 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës, Prokuroria Themelore në Prishtinë është duke i zhvilluar hetimet”, është thënë në njoftim.
Prokurori i Shtetit ka ftuar qytetarët të cilët kanë apo mund të kenë informata se në çfarëdo mënyre po cenohet fshehtësia e votës apo çfarëdo veprimi tjetër i ndërmarrë që bie në kuadër të veprave penale kundër të drejtës së votimit, t’i raportojnë ato tek Prokurori i Shtetit apo tek Policia e Kosovës.