5 ndryshimet afatgjata që po sjell pandemia e Covid-19

18:24 | 21 August 2020

Koronavirusi po vazhdon të përhapet me shpejtësi në gjithë botën.

– Nga Dr.Vinayak Kumar & Ram Prasad Modalavalasa/ Abc News

Covid-19 ka ndryshuar plotësisht jetët tona. Dhe ndërsa shumë njerëz shpresojnë që këto ndryshime të jenë të përkohshme, pandemia ka zbuluar edhe dobësitë e status-kuosë aktuale. Pas çdo krize të madhe, njerëzimi detyrohet t’i identifikojë ato dobësi, dhe të evoluojë në përputhje me rrethanat. Pandemia e 2020-ës, ka shumë të ngjarë të ndryshojë jetët tona për një kohë shumë të gjatë. Ja cilat janë 5 ndryshimet më kryesore:

Në fushën e punësimit, do kemi më shumë automatizim

Pandemia ka ndihmuar në identifikimin e punëve që mund zëvendësohen me teknologjinë më të fundit, si një teknikë për të zbutur rrezikun e infeksionit nga Covid-19, dhe ruajtur njëkohësisht produktivitetin.

“Blerjet online janë shndërruar në ‘kamardaren e shpëtimit’ për konsumatorët që kërkojnë produkte, por edhe për shitësit me pakicë që kërkojnë të bëjnë para”-thotë Mark-Andre Kamel, që drejton kompaninë “Bain Global Retail”.

Një studim i kryer nga “McKinsey & Company”, tregoi se më shumë amerikanë presin t’i bëjnë blerjet e tyre në internet pas Covid-19, në krahasim me periudhën para parandemisë. Pra 30-49 përqind të njerëzve, presin të shtojnë blerjet e tyre përmes internetit. Sigurisht, kjo do të sjellë një ulje të orarit të kërkuar për punë të caktuara, siç janë arkëtarët e supermarketeve.

Sidoqoftë, me këtë problem vjen edhe një zgjidhje: rikualifikimi. Kompanitë nuk po punësojnë me ritmet e dikurshme, dhe niveli i papunësisë në SHBA ishte në korrik 10.2

për qind. Kompanitë si “Linkedin” dhe “Shaw Academy” po ofrojnë trajnime virtuale që synojnë të ndihmojnë punonjësit e ardhshëm të gjejnë pozicionet e përshtatshme alternative të punës.

Kujdesi shëndetësor: Zgjerim i shërbimit të telemjekësisë

Kalimi nga karantina në jetën normale, ka shkaktuar një rritje të madhe të problemeve të shëndetit mendor, dhe kjo si pasojë e izolimit. Në krahasim me vitin 2019, nivelet e depresionit dhe ankthit janë 3-fishuar. Pacientët po kërkojnë mundësinë e ndjekjes së terapive përmes internetit.

Ndërkohë, ekzistojnë një numër kompanish si “Genova Telepsyiatry” dhe “BetterHelp”, që i ofrojnë këto shërbime. Këto të fundit, ka të ngjarë të njohin një përdorim më të madh në të ardhmen. Për shkak se marrëdhënia mjek/terapist-pacient është e rrënjosur në lidhjen personale, terapia e bazuar në realitetin virtual mund të jetë disi problematike.

Por telemjekësia vlen shumë më tepër, sesa vetëm në fushën e psikiatrisë. Ndërsa diagnostikimi fizik mbetet një aspekt i rëndësishëm i vizitave mjekësore, shumë probleme mjekësore mund të diagnostikohen dhe menaxhohen virtualisht. Dhe kjo është qartësisht e dukshme tek rritja e kompanive si “Teladoc”, të ardhurat e të cilës u rritën me 85 për qind, teksa vizitat në total u shtuan me 203 për qind këtë vit që përkoi me pandeminë.

Meqë vizitat e mjekëve virtualë zvogëlojnë kohën e pritjes, zgjidhin problemin e transportit dhe shqetësimet e lëvizjes individuale, telemjekësia ka të ngjarë të përfshihet gjithnjë e më shumë në kujdesin e zakonshëm shëndetësor.

Udhëtimet: Masa paraprake më të rrepta

Pandemia u përhap kaq shpejt për shkak të shkallës së globalizmit dhe lehtësisë së udhëtimit. Ndërsa kufizimet e udhëtimit janë aktualisht të forta, me avionët që duhet të kenë kapacitete jo të plota, dhe kërkesat për mbajtjen e detyruar të maskës, ka të ngjarë të vendosen protokolle të caktuara parandaluese edhe për shumë kohë në të ardhmen.

Industria e linjave ajrore, ka humbur deri tani mbi 30 miliardë dollarë për shkak të pandemisë. Ndërsa masat paraprake si fluturimet me kapacitete të pjesshme, mund të jenë financiarisht të dëmshme nëse aplikohen për një kohë të gjatë, ndërhyrjet e tjera si inkurajimi i mbajtjes së maskës, është një masë paraprake e thjeshtë për të minimizuar përhapjen e lehtë të sëmundjes.

Dhe një raport i “McKinsey & Company”, vëren se hotelet do të zhvillojnë procedura më të hollësishme të sterilizimit, përfshirë pajisjet pa prekje, dhe kufizime më të rrepta për të shmangur mbipopullimin, ndryshime këto operacionale që ka gjasa të vazhdojnë edhe pasi pandemia të jetë zhdukur.

Arsimimi: Do të zgjerohet mësimdhënia virtuale

Sistemet arsimore, janë goditur veçanërisht shumë për shkak të pandemisë. Shkollat online që ndiqen nga shtëpia, janë duke u bërë gjithnjë e më të pranuara kohët e fundit. Kompani si “Khan Academy”, “Coursera & Byju’s” i kanë ndihmuar studentët të marrin një arsim cilësor virtual.

Edhe pse përdoret kryesisht si një suplement ndaj arsimin zyrtar personal, familjariteti i publikut me këto burime është rritur. Edhe pas pandemisë, ka të ngjarë që këto burime të arsimit virtual të vazhdojnë të përdoren, pasi kurrikulat virtuale me cilësi të lartë si këto mund të ndihmojnë në zhdukjen e dallimeve në cilësinë e arsimit shkollor publik, dhe t’i ndihmojnë studentët të arrijnë potencialin e tyre.

Forumi Ekonomik Botëror, i sheh këto ndryshime si globale dhe afatgjata, duke marrë parasysh pabarazitë arsimore aktuale, dhe rritjen kudo të qasjes në internet, dhe në të dhënat e lëvizshme. Por është e rëndësishme të pranohet që kurrikula virtuale, nuk do të jetë një zëvendësim i një kurrikule që merret brenda klasave klasike nëpër shkolla.

Personeli i kompanive: Shtim i opsioneve të punës nga shtëpia

Pandemia i detyroi individët dhe bizneset në mbarë botën, që të zhvendoseshin për të punuar në distancë, duke përdorur shumë shërbim si Zoom, Skype, Slack, Microsoft Office Suite dhe aplikacione G-Suite.

Duke vazhduar të lejojë punën nga shtëpia, një kompani mund të zvogëlojë kostot e infrastrukturës, duke marrë me qira hapësira më të vogla pune, duke i vendosur zyrat në shtete që kanë taksa më të ulëta, dhe koordinuar një forcë punëtore që operon në zona të ndryshme kohore, për të maksimizuar fluksin e përditshëm të punës.

Për më tepër, përfitimet e punës nga shtëpia janë joshëse, përfshirë rritjen e fleksibilitetit në orarin e punës, dhe tensionet reduktuara me familjen. Këto tipare pozitive do të duhet të ofrohen në një mënyrë të ekuilibruar, për të shmangur problemet që lindin nga kultura e punës nga shtëpia, si vetmia dhe një ndjenjë e zvogëluar e kulturës së socializimit.

Në një studim global, mbi 40 për qind i njerëzve që punojnë nga shtëpia thanë se shëndeti i tyre mendor është përkeqësuar që nga nisja e pandemisë së Covid-19, gjë që mund të ulë produktivitetin dhe të sjellë qarkullimin e punonjësve. Thelbi është të gjendet ekuilibri i duhur. Pavarësisht problemeve, është e qartë që puna nga shtëpia do të jetë një mundësi më e madhe për punonjësit, në krahasim me periudhën para pandemisë.

Komento: