
Rezultate dhe krahasime, 5 qytetet ku LDK e pësoi keq në këto zgjedhje.
Lidhja Demokratike e Kosovës nga zgjedhjet e 14 shkurtit ka dalë me rezultatin më të dobët në historinë e partisë.
Përgjysmim votash krahasuar nga viti 2019 dhe humbje në secilën komunë të Kosovës.
Një rezultat i tillë u shoqërua më dorëheqje të kreut të kësaj partie, Isa Mustafës dhe të gjithë kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Por, në cilat qytete e pësoi më së keqi partia e themeluar nga Ibrahim Rugova?
Partia e drejtuar nga Isa Mustafa me kandidat për kryeministër, Avdullah Hotin, e ka humbur qytetin e Istogut. Në këtë qytet në vitin 2019 Lidhja Demokratike e Kosovës kishte marrë 8 mijë e 744 vota apo 44.18 % duke u renditur si partia e parë derisa partia e Kurtit ishte renditur në vendin e tretë me vetëm 2 mijë e 751 vota.



Ky rezultat në këto zgjedhje është përmbysur dhe, përveç kësaj, në qytetin e lindjes të Ibrahim Rugovës, parita e drejtuar nga Kurti ka dalë e para me një epërsi të thellë. VV në Istog ka marrë 7 mijë e 505 vota derisa LDK’ja vetëm 4 mijë e 584 vot apo përgjysmë më pak se në vitin 2019.
Situata nuk është hiq më mirë as në Gjilanin e Lutfi Hazirit. Në vitin 2019, Lëvizja Vetëvendosje kishte arritur që të dalë e para me 18 mijë e 757 vota, derisa LDK ishte renditur në pozitën e dytë me 12 mijë e 594 vota, pra me një diferencë vetëm prej 6 mijë votash. Por në zgjedhjet e 14 shkurtit kjo diferencë ka shkuar në plotë 21 mijë vota.
Vetëvendosje në Gjilan ka marrë plotë 28 mijë e 568 vota derisa LDK vetëm 7 mijë e 243 vota.

Vetëvendosje ka fituar thellë edhe në kryeqytet. Përderisa në vitin 2019 epërsia VV-LDK kishte qenë vetëm 6 mijë vota, në zgjedhjet e 14 shkurtit partia e drejtuar nga Kurti ka shkuar në 62 mijë e 359 mijë vota apo 20 mijë vota më shumë se zgjedhjet paraprake, derisa LDK’ja e Isa Mustafës ka marrë 16 mijë e 695 vota apo 18 mijë vota më pak.

Vargut të qyteteve ku LDK ka pësuar keq është edhe Peja e Gazmend Muhaxherit. Në këtë qytet në zgjedhjet e 14 shkurtit ka arritur të dalë e para Lëvizja Vetëvendosje me 21 mijë vota derisa LDK e dyta me vetëm 8 mijë e 75 vota.
Në vitin 2019 LDK e kishte fituar Pejën dhe kishte 6 mijë vota më shumë se sa tani, derisa Vetëvendosje kishte pasur vetëm 10 mijë vota apo 11 mijë më pak sesa këto zgjedhje.

LDK e ka pësuar keq edhe në Podujevën e Agim Veliut. Nga 15 mijë vota sa kishte pasur në vitin 2019, ka rënë në 9 mijë e 300, derisa Lëvizja Vetëvendosje 13 mijë e 927 vota ka shkuar në 23 mijë, apo 10 mijë më shumë.

Nga rezultatet e marra në këto pesë qytete, Lidhja Demokratike e Kosovës ka gjithësej 38 mijë e 727 vota më pak.
Derisa Lëvizja Vetëvendosje në këto qytete krahasuar me vitin 2019 ka gjithësej 56 mijë e 609 vota më shumë.
LDK në këto zgjedhje ka garuar me Avdullah Hotin, i cili kishte udhëhequr me Qeverinë e Kosovës pas rrëzimit të Albin Kurtit. Listës së partisë së Isa Mustafës në këto zgjedhje i ka munguar emri i Vjosa Osmanit, e cila ka garuar me listën e saj si pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje.
Në total Lëvizja Vetëvendosje ka dalë bindshëm e para me afro 48 % të votave, derisa LDK në vendin e tretë me rreth 13.5 %.