500 mijë vota/ Opozita paralajmëron “ditë të zeza” për Kurtin, në VV thonë se nuk i mjaftojnë as këto

08:08 | 19 December 2024
500-mije-vota/-opozita-paralajmeron-“dite-te-zeza”-per-kurtin,-ne-vv-thone-se-nuk-i-mjaftojne-as-keto

Pesëqind mijë vota po i kërkon subjekti politik Lëvizja “Vetëvendosje” nga qytetarët e Kosovës në zgjedhjet e 9 shkurtit 2025.

Tashmë kjo kërkesë që në fillim u duk si qesharake, ka filluar të bëhet kërkesë serioze dhe madje dhe është marrë me seriozitet nga figurat e larta të VV-së.

Ishte Elvis Hoxha, ai i cili e bëri këtë kërkesë, e më pas mori jehonë të madhe e përkrahje të madhe edhe nga zyrtarë tjerë të VV-së¸ përfshirë ministra e deputetë të partisë.

Ministrja Albulena Haxhiu, Dejona Mihali, zëdhënësi i VV-së, Arlind Manxhuka, ata që bënin thirrje që VV-ja të votohet prej 500 mijë vota.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka shkruar se 500 mijë vota është pragu për pavarësi nga Lista Serbe dhe siç thoshte ajo nga elita e vjetër e korruptuar.

“500 mijë vota është pragu për pavarësi nga Lista serbe e elita e vjetër e korruptuar. Është fuqia për të vazhduar reformën tonë të thellë përpara. VVazhdojmë garën për 500k vota”, ka shkruar ajo.

Derisa,Dejona Mihali  ka ftuar ‘’zemrat e kuqe’’’ për të  ecur përpara “Ftojmë 500 mijë zemra flakë të kuqe për të ecur para. 500k ❤ Lëvizja VETËVENDOSJE!”, ka shkruar Mihali.

Ndërkohë, zëdhënësi i Vetëvendosjes, Arlind Manxhuka, ka shkruar se duhen 500 mijë vota për t’i vazhduar reformat dhe që të mos jenë të varur nga partitë tjera politike.

“VETËVENDOSJE! për të vazhduar me reformat e nisura thelbësore, që të vazhdojë të jetë e mosvarme nga Klubi i Stërvjetëruar e Lista Serbe, për të vazhduar fuqishëm e për të çuar përpara projektet e nisura dhe ato të reja i hynë garës për 500 mijë vota. VETËVENDOSJE! 500K votues”, ka shkruar ai.

‘’Vallen’’ e deklarimeve të tilla e ka vazhduar deputeti tjetër i VV-së, Salih Zyba, derisa oponentët politik të VV-së, e konsiderojnë si të pamundur një gjë të tillë, duke paralajmëruar zhgënjim dhe ditë të rënda për VV-në.

 

Zyba e quan prag minimal: 500 mijë vota nuk janë të mjaftueshme, VV-ja kërkon mbështetje më të madhe

Deputeti i Vetëvendosjes, Salih Zyba, për FrontOnline, ka komentuar pragun e vendosur nga partia e tij për zgjedhjet e ardhshme, duke theksuar se ky prag është i realizueshëm dhe nuk ka synime të pa arritshme.

‘’Tash VV pragun që ia qet vetës është i realizueshëm, nuk ka synime të pa realizueshme’’ tha Zyba.

Zyba theksoi se kërkesa për t’i marrë 500 mijë vota është një prag minimal.

‘’Ai është prag minimal që çdo qytetarë që i ka mbete merak me votua Vetëvendosjen, e ka mundësinë. Kjo është e mundshme.’’ u shpreh Zyba.

Deputeti Zyba shtoi se për të realizuar ndryshime rrënjësore, VV-ja ka nevojë për më shumë se 500 mijë vota, duke theksuar se ky është vetëm një hap i parë dhe se do të duhen më shumë mbështetje dhe vota për të sjellë ndryshime të vërteta në vend.

‘’Po mendoj se nuk është as mjaftueshëm me i marr 500 mijë vota, për me u bërë ndryshime rrënjësore duhet me pas edhe më shumë vota. Nuk është kufiri më i lartë, është pragu ynë.’’ përfundoi deputeti i VV-së.

 

Haliti ironizon me VV-në: Nëse i marrin 500 mijë vota, bravo iu qoftë, por ku doni me i marrë? Do mërziten shumë e do të zhgënjehen keq

Deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti, për FrontOnline, ka komentuar kërkesën e VV-së, që në zgjedhjet e 9 shkurtit, iu duhen 500 mijë vota.

Ai theksoi se nëse VV do të kishte realizuar të gjitha premtimet e dhëna, ata do të kishin arsye të kërkonin 500 mijë vota, por në realitet, sipas tij, VV nuk ka bërë asgjë të dobishme për vendin, përveç zhurmës me veriun dhe mashtrimeve vizuale.

‘’Në qoftë se i ka realizuar gjitha premtimet e dhëna VV-ja do të kishin arsye të kërkonin 500 mijë vota, por realisht VV përveç zhurmës me veriun dhe mashtrimeve vizuele që kanë bërë, asnjë sen të hajrit nuk e kanë bërë në këtë vend’’ thotë ai.

Haliti gjithashtu komentoi sondazhet e fundit, duke i cilësuar ato si një tentativë për të luhatur elektoratin ose për të rikthyer mbështetje nga ata që janë zhgënjyer nga VV.

‘’Këto sondazhet që kanë për qëllim luhatjen e elektoratit ose përpjekje për ta kthyer elektoratin e mërzitur nga vetë VV, janë sondazhe elektorale.’’ shtoi Haliti.

Ai potencoi se PDK ka sondazhet e veta dhe paralajmëroi se zgjedhjet do të jenë zhgënjyese për VV dhe ata do të mërziten shumë nga rezultati.

‘’Nëse i marrin 500 mijë vote iu them bravo, mirë po problemi se ku dojnë me i marrë ata. Edhe ne kemi sondazhet tona. Këto zgjedhje do të jenë zhgënjyese për ta dhe do mërzitën shumë’’ përfundoi ai.

 

Gaxherri: Sondazhet janë manipulim, Kurti do të ndëshkohet e LDK-ja do të vlerësohet për konsistencën e saj

Kandidatja e LDK-së, për deputete, Besa Gaxherri, ka komentuar sondazhet e fundit dhe kërkesën e zyrtarëve të VV-së për të fituar 500 mijë vota në zgjedhjet e 9 shkurtit.

Gaxherri ka shprehur dyshime mbi besueshmërinë e tyre, duke theksuar se sondazhet e vendosën LDK-në në vendin e tretë dhe e parashikuan fitore të kandidatit të VV-së, për Prishtinën, Arben Vitinë pa balotazh, ndërsa rezultati real ishte ndryshe.

‘’Jemi dëshmitarë të gjithë se këto sondazhe, e kanë vendos LDK-në të tretën, e kanë vendos Arben Vitinë me fitu pa balotazh, ndërsa realiteti ishte krejt ndryshe.’’ thotë ajo.

Ajo i ka quajtur si propagandë të manipuluar dhe ka shprehur besimin se qytetarët e Kosovës kanë qenë të vetëdijshëm për nevojën për ndryshim, duke besuar në një ndryshim pozitiv kur votuan Albin Kurtin, por që tashmë janë zhgënjyer dhe shprehet e bindur se qytetarët do ta ndëshkojnë Kurtin për korrupsionin, arrogancën dhe paaftësinë e tij për të punuar, duke përmendur edhe mbylljen e mundësive për bashkëpunim me aleancën ndërkombëtare.

‘’Janë lloj i propagandës së tyre. Unë besoj shumë të qytetarët e këtij vendi kanë ditur me iu përgjigjj nevojës të këtij vendi, që edhe atëhere kur e kanë votuar Kurtin, kanë besuar në një ndryshim pozitiv, por jam e bindur se ata do e denojnë Kurtin për korrupsionin, arrogancën, mos punën e tij, për mbylljen e portave me aleancën ndërkombëtare.’’ tha ajo për FrontOnline.

Gaxherri, shpreson se qytetarët do ta vlerësojnë stabilitetin dhe konsistencën e LDK-së në këtë kontekst.

 

Berisha i AAK-së: Në këto zgjedhje VV-ja do të bie nën 40% e më pas do të bie deri nën 10%

Deputeti i AAK-së, Bekë Berisha, për FrontOnline ka folur për kërkesën  e Vetëvendosjes (për të fituar 500 mijë vota, duke e kritikuar ashpër qeverinë për menaxhim të dobët dhe dështim në realizimin e premtimeve.

‘’Kanë punu keq, e kanë shti Kosovën në sanksione, e kanë lanë ushtrinë pa bukë, nuk e kanë bërë asnjë punë të hajrit edhe këto janë veç rrena edhe demagogji edhe po ia nisin qeshtu se po mendojnë se e mashtrojnë popullin qeshtu, por ata do të kenë rënie rrabile’’ thotë ai.

Ai ka theksuar se qeveria e VV ka dërguar Kosovën në sanksione dhe ka lënë ushtrinë pa mbështetje, duke e quajtur këtë një dështim të plotë.

Sipas Berishës, deklaratat e VV-së janë vetëm “rrena dhe demagogji”, dhe se ata po mendojnë se mund të mashtrojnë popullin me fjalë të tilla.

‘’Këto janë veç rrena edhe demagogji edhe po ia nisin qeshtu se po mendojnë se e mashtrojnë popullin qeshtu, por ata do të kenë rënie rrabile’’ u shpreh ai për FrontOnline.

Ai ka paralajmëruar se VV do të përballet me një rënie të ndjeshme të mbështetjes, duke parashikuar se do të arrijnë nën 40% të votave në zgjedhjet e ardhshme.

‘’ Nën 40% e shoh VV-në’’ shtoi Berisha.

Deputeti Berisha është i bindur se populli do t’i ndëshkojë për menaxhimin e keq, duke vlerësuar se VV mund të bie deri në nivele shumë të ulëta, nën 10%, duke shtuar se inati i qytetarëve ndaj qeverisë nuk do të kalojë dhe se ditët e këqija janë të sigururta për VV-në.

‘’Unë e njoh këtë popull, inati nuk kalon veç me një mandat, e VV ka me i pritë ditë e këqija, e ka me rënë në atë shtratin e vetë që e ka 11-12 apo 8%’’ tha Berisha.

Komento: