53 presonave testohen në Shqipëri nga koronavirusi, këto janë rezultatet

14:03 | 06 March 2020

Në Shqipëri janë testuar 53 raste për Coronavirus, të gjithë negativë.

Në Shqipëri janë testuar gjithsej 53 raste të dyshuara me Coronavirus, ndërsa që të gjitha rastet kanë dalë negative.

Eugena Tomini, shefe e Epidemiologjisë në Shqipëri tha se gjatë 24 orëve janë testuar tri raste të dyshuara, por që rezultatet kanë dalë negative.

“Gjatë 24 orëve të fundit janë testuar 3 raste të reja në Laboratorin e Virologjisë pranë ISHP nga ku në total numri i rasteve të testuar ka shkuar në 53. Të gjitha rastet kanë rezultuar negative për COVID 19. Rastet kanë pasur shenja të infeksionit respirator dhe histori udhëtimi me vendet ku ka shpërthim epidemik dhe komunitar të Coronavirusit të ri”, tha Tomini.

Po ashtu u tha se në vijimësi po kryhet kontroll e përforcuar në pikat kufitare, ajrore, detare dhe tokësore duke kryer monitorimin e temperaturës për të gjithë udhëtaret që hyjnë në Republikën e Shqipërisë.

“Në 24 orët e fundit në të gjitha pikat kufitare në total kanë hyrë 17,770 udhëtarë, të cilët janë vlerësuar, mbështetur në survejancën e përforcuar për monitorimin e temperaturës”, tha përfaqësuesja e Task Forcës.

Në 24 orët e fundit në nr. 127 ka pasur 1539 thirrje, nga të cilat 38 prej tyre janë vlerësuar në lidhje me infeksione virale respiratore dhe histori udhëtimi me Italinë.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale rekomandon për qytetarët që kanë udhëtuar nga rajonet e prekura dhe që kanë pasur kontakte me persona të sëmurë apo të dyshuar për COVID-19, të vetëkarantinohen për një periudhe 14 ditore.

Ministria e Shëndetësisë rekomandon që qytetarët që kanë udhëtuar në vendet e prekura dhe kanë shenjat e infeksionit viral: temperaturë, kollë, rrufë dhe vështirësi në frymëmarrje, të telefonojnë numrin unik 127 të Urgjencës Kombëtare, për të marrë udhëzimet e duhura se si të veprojnë në situata të ndryshme shëndetësore. /Tch

Komento: