
Punonjësit e Policisë në Shkodër kanë ndërhyrë duke shpëtuar jetën e një 59-vjeçareje në Shkodër.
Ngjarja ka ndodhur sot rreth orës 09:30, kur në Sallën Operative është marrë njoftim se një shtetase ishte hedhur në ujërat e lumit Buna me qëllim vetëmbytjeje.
Menjëherë, shërbimet e Patrullës së Përgjithshme të Komisariatit të Policisë Shkodër kanë reaguar në vendngjarje dhe janë futur në ujë, duke arritur të nxjerrin gruan në gjendje të rëndë, por me shenja jete.
Ata i kanë dhënë edhe ndihmën e parë në vendngjarje.
Shtetasja V. T., 59 vjeçe, është transportuar me autoambulancë në Spitalin Rajonal të Shkodrës, ku po merr trajtim të specializuar mjekësor.