“6 emra në tavolinë”, “negociata të vështira” dhe dakordim për t’u takuar përsëri – çfarë thanë Kurti e Abdixhiku mbrëmë

14:58 | 27 Gusht 2026

Albin Kurti dhe Lumir Abdixhiku thanë se bënë “një hap përpara” drejt zgjedhjes së Presidentit pas një takimi mbrëmë në Kuvend. Bisedimet u përshkruan si “shumë të vështira” dhe “jo të lehta” nga të dyja palët. Në tavolinë u hodhën gjashtë emra, nga tre prej secilës palë, për pozitën e shefit të shtetit. Diskutimet pritet të vazhdojnë ditëve në vijim.

Diskutimi i mbrëmshëm ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës për zgjedhjen e Presidentit, u konsiderua “i hapur, i sinqertë dhe serioz” nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti. Gazeta Express mëson se në tavolinë u shqyrtuan gjashtë emra për President/e.

Negociata “të vështira”, Kurti tha se po kërkojnë një person “të shkëlqyeshëm”

Kryetari i LVV-së e falënderoi kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhikun dhe dy bashkëpunëtorët e tij – nga të cilët ai u shoqërua në këtë takim, Vjosa Osmanin dhe Lutfi Hazirin – për “seriozitetin, sinqeritetin, për dashamirësinë e treguar në këto negociata”, të cilat ai tha se ishin “shumë të vështira”.

“Do të vazhdojnë bisedimet, për shkak se është rritur mirëbesimi. Dhe është hera e parë që kemi diskutuar me dhe për emra të përveçëm”, tha ai pas diskutimeve, duke e cilësuar takimin si “hap i rëndësishëm përpara”.

Kurti nuk pranoi të tregonte numrin e emrave të diskutuar dhe për karakteristikat e personave që u propozuan nga të dyja palët. Një zyrtar, në dijeni për negociatat mes palëve, i ka thënë Gazetës Express se në takimin e djeshëm LVV dhe LDK kanë propozuar nga 3 emra.

“Tash, negocimi është shumë i vështirë sepse duhet të diskutohet hollësisht dhe gjerësisht. Shumësia e emrave që trajtohen shtohet atëherë kur njëri prej bashkëbiseduesve në radhën kur e ka fjalën sjell emër të ri dhe argumenton për filan personi, e më pas duhet t’i dëgjojë edhe të tjerët se çfarë mendojnë për atë person, por lista e atyre emrave zvogëlohet atëherë kur është e qartë se nuk do të mund të ketë dakordim për një emër të përveçëm”, tha ai.

Duke ruajtur “konfidencialitetin” e bisedimeve, Kurti tha se kishin diskutuar emra njerëzish me të cilët nuk ishin konsultuar paraprakisht.

“Nuk janë emra të cilët ne i kemi pyetur paraprakisht se a do të pranonin ose a do të dëshironin që të jenë president ose presidente të Republikës, sepse paraprakisht duhet të dakordohemi ne ndërmjet vete. Andaj, në këtë fazë edhe nuk mund të flasim konkretisht për emra të përveçëm, të cilët në fakt, për herë të parë sot jemi duke i trajtuar konkretisht si emra të posaçëm për president apo presidente të mundshme”, tha ai.

Kurti nuk u pajtua të quheshin “maratonike” këto negociata, ndërsa tha se është “çështje javësh” kur duhet të arrihet një dakordim për Presidentin e ri.

“Nuk do t’i kisha quajtur negociata maratonike. Natyrisht që nuk janë as distanca të shkurtra apo sprint, nëse flasim me gjuhën e atletikës, por nuk janë as maratonike dhe nuk besoj që do të jenë maratonike, sepse nuk është çështje muajsh kur ne duhet të merremi vesh – është çështje javësh, e do të dëshironim të ishte çështje ditësh”, tha ai.

Kreu i LVV-së tha se “komunikimi nuk ndërpritet” dhe “takimet do të vazhdojnë”.

“Të gjitha propozimet të cilat janë sjellur në tryezën e diskutimit sot kanë qenë në përputhje me atë çfarë jemi dakorduar sa i përket kritereve, standardeve, parimeve, të vlerave, meritave dhe kontributeve të këtyre personaliteteve”, tha ai.

Kurti tha se po kërkojnë ta gjejnë një person të shkëlqyeshëm për President.

“Pra, të gjithë janë personalitete të mira. Ka edhe shumë të mira, por neve na duhet të zgjedhim atë që është i/e shkëlqyeshme”, tha ai.

“Nuk është e lehtë”, thotë Abdixhiku, por “populli i Kosovës duhet të ndjehet komod”

Udhëheqësi i LDK-së tha se emrat e propozuar ishin “në vijë me parimet e dakorduara”. Në këtë pikë, ai tha se ky takim ishte “një hap përpara”.

“Në tërësinë e emrave të prezantuar, mund të them me bindje të plotë se të gjithë emrat – në masë të madhe, dikush më shumë e dikush më pak – është në vijë me parimet e dakorduara deri më tani dhe në këtë drejtim, le të themi se ky është një hap përpara, meqenëse nga koncepti politik rreth parimeve kemi kaluar në emra”, tha ai pas takimit.

Abdixhiku kërkoi mirëkuptim që s’mund të përmendte emrat konkretë për të cilët u diskutua, por tha se do të takohen sërish për ta “finalizuar dhe përzgjedhur” Presidentin.

“Për shkak të ndjesisë së procesit, ju lus për mirëkuptim, nuk mund të diskutojë për emra konkretë në këtë fazë, por do të takohemi sërish për të finalizuar dhe përzgjedhur Presidentin e ardhshëm të Republikës së Kosovës”, tha ai.

Tha se nuk mund të fliste as për numrin e emrave të diskutuar, por tha se për këtë proces populli duhet të jetë “komod”.

“LDK-ja është garancë institucionale, historike, 37-vjeçare, se Presidenti i Republikës është i denjë për postin që e ka dhe për këtë populli i Kosovës duhet të ndjehet komod”, tha ai.

Abdixhiku tha se do të bëjnë përpjekje për të gjetur zgjidhje dhe se kjo “nuk është e lehtë”, por shtoi se “gjëja më e lehtë që ta bësh në Kosovë është të tërhiqesh dhe ta lësh vendin të shkojë në kriza të vazhdueshme pa asnjë zgjidhje”.

“LDK-ja i beson vetes, i beson bindjeve që i ka dhe do t’i besojë edhe Presidentit ose Presidentes së ardhshme që duhet të zgjidhet. Për këtë po përpiqemi, dhe përderisa përpiqemi, besoj se bëjmë mirë”, tha ai.

Abdixhiku tha se nëse nuk përpiqen, atëherë “zgjedhjet i kemi të garantuara”.

Kurti dhe Abdixhiku mbrëmë zhvilluan takimin e dytë prej kur LDK-ja më 13 gusht hoqi dorë nga bisedimet për t’u përfshirë në bashkëqeverisje me LVV-në dhe nga kërkesa për pozitën e shefit të shtetit.

Komento: