
Gjykata Themelore në Prishtinë ka dënuar me gjashtë muaj burg dhe 10 mijë euro gjobë P.K. për veprën penale shpëlarje e parave.
Me kërkesën dhe pëlqimin e të akuzuarës P.K., dënimi me burgim në kohëzgjatje prej 6 muajve, i është zëvendësuar me gjobë në shumë 8 mijë euro, kështu që e akuzuara duhet të paguajë dënimin unik me gjobë prej 18.000 eurosh në afat prej dy muajve, nga dita e plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi, njofton Gjykata Themelore e Prishtinës.
Po ashtu të akuzuarës i konfiskohet shuma e parave prej 91.080 funte, si pasuri e përfituar me veprën penale dhe obligohet Agjencia për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar dhe Konfiskuar në Prishtinë, që pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi, t’i marrë nën administrim dhe menaxhim paratë e konfiskuara me këtë aktgjykim dhe e njëjtat të administroi në përputhje me Ligjin mbi Agjencinë, thuhet në komunikatë.
Kundër këtij aktgjykimi palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës, përmes kësaj gjykate.