Shifrën prej 654 milionë euro inevstime, ministri i Financave Hekuran Murati, nuk arriti ta ‘akomodojë’ në asnjë projekt. I pyetur disa herë në intervistën, që këtij mbi 600 milonëshi t’ia gjejë të paktën katër projekte të mëdha, apo investime kapitali, ai s’arriti ta thotë asnjë. Murati na rikujton deklaratën e famshme të Gërvallës për mungesën e njohjeve të reja “një herë tjetër”…
“Për vitin 2024 janë gjithsej 654 milionë euro, shifra më e lartë ndonjëherë” – tha ministri Hekuran Murati mbrëmë në ATV, kur foli për ‘projektet e mëdha’ apo investimet kapitale.
Por, shifra e madhe e “projekteve të mëdha” s’mori asnjë numër sado të vogël si përgjigje në pyetjen e gazetarit për të numëruar ndonjë prej tyre. Të paktën katër, siç këmbënguli gazetari.
“Ka, ka. Të bëhemi cinikë mund të thuhet…” – tha ministri, por shpejt u sfidua me nënpyetjen për numërim.
“Projektet e mëdha s’janë mshelë asnjëra, tash diçka e di është përfundu, por jemi kah flasim për 650 milionë, nëse lypi shpjegim ku kanë shku, a mundeni me mi numru.
S’ka teatër, s’ka stadium nacional, s’ka stadium olimpik, s’ka stadium normal në asnjë komunë” – ndërhyn gazetari Leart Hoxha.
Duke mos qenë në gjendje ta numëronte një, e lëre më katër siç kërkonte gazetari, “befas” vjen në ndihmë e famshmja “…qe 20 vjet”.
“S’kanë qenë as për 20 vjet” – tha Murati.
Megjithatë, gazetari sërish insistoi që të numërohen projektet e mëdha që kanë përfunduar, por Murati nuk arriti ta thotë asnjë prej tyre.
“Ka disa projekte, tash unë nuk mund t’i them…” – përfundoi ai, transmeton Nacionale.
Pamundësia për të numëruar një projekt të madh (investim kapital), na rikthen në kujtesë, një intervistë të ministres së jashtme, Donika Gërvalla, e cila mungesën e njohjeve të reja, e kishte arsyetuar me ‘lëvizje të rëndësishme në këtë drejtim’.
Por, fati i ngjashëm i Hekuran Muratit, e kishte përcjellë edhe ministren Donika Gërvalla, pasi që edhe në tog fjalëshin e “lëvizjeve të rëndësishme” në drejtim të njohjeve, i ishte kërkuar të tregonte se cilat janë ato lëvizje.
Është ikonike pamja dhe përgjigja nga ajo intervistë, kur ministrja do të kujtohej pak dhe do ta përfundonte fjalinë me “Një herë tjetër…”.
Gërvalla në intervistën për t7, kishte thënë se “është normale që nuk kemi njohje të reja”.
“Natyrisht që nuk kemi njohje të reja, është normale që nuk kemi njohje të reja. Njohjet e reja nuk pikojnë nga qielli” – ishte shprehur ajo.
Megjithatë, ministrja kishte paralajmëruar lëvizje të rëndësishme, ku gazetari e kishte pyetur: “Me cilat, p.sh?”.
Duke mos pasur përgjigje dhe duke mos arritur ta thotë emrin e asnjë shteti, Gërvalla ishte përgjigjur shkurt me “tjetër herë”.
Pikërisht për njohjet, Nacionale raportoi këtë të martë, tashmë kur Qeveria është në përfundim të mandatit dhe në kërkim të një tjetri.
Në një intervistë për gazetën spanjolle “El Mundo”, kryeministri Albin Kurti ia kërkoi njohjen Spanjës. Megjithatë, në po të njëjtën, ai konfirmoi se nuk kanë pasur asnjë kontakt me Qeverinë spanjolle.
“Jo. Edhe pse kemi pasur shkëmbime në disa konferenca ndërkombëtare, këto takime kanë qenë më shumë në një nivel personal, kryesisht mes deputetëve, por jo mes përfaqësuesve të Qeverisë. Pavarësisht këtyre takimeve nëpër forume ndërkombëtare, nuk ka pasur dialog direkt apo zyrtar mes qeverive të dy vendeve. Nuk ka paur mënyrë formale që ta adresojmë çështjen dhe të ecim përpara në një marrëdhënie të mundshme diplomatike” – ka thënë ai