68 afganë të strehuar në Kosovë, MPB s’tregon për vendqëndrimin e tyre

20:08 | 16 October 2024
68-afgane-te-strehuar-ne-kosove,-mpb-s’tregon-per-vendqendrimin-e-tyre

Gjashtëdhjetë e tetë shtetas afganë u vendosën nga 13 tetori në Kosovë, por koordinimi i strehimit të tyre nuk u bë me Qeverinë amerikane, sikurse më herët.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të Radios Evropa e Lirë në lidhje me ta, Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës tha se “kërkesa për mbrojtjen e përkohshme të tyre është bërë nga organizata Infinitus Salvator, e regjistruar në SHBA”.

“Në respektim të plotë të procesit, por edhe të të dhënave personale të personave që kemi pranuar, ne nuk mund t’i ofrojmë të dhënat e tyre personale dhe as vendqëndrimin e tyre”, tha MPB-ja.

Sipas saj, grupi i ri i afganëve “ka të drejtën e lëvizjes së pakufizuar” në Kosovë, ndryshe nga ata të parët që fillimisht kishin lëvizje të kufizuar.

I kontaktuar nga REL-i në lidhje me këtë rast, Departamenti amerikan i Shtetit tha se është duke punuar drejtpërdrejt me Qeverinë e Kosovës “për të gjetur zgjidhje të qëndrueshme për pak afganët e mbetur, që janë sjellë më parë në Kosovë dhe janë nën kujdesin e SHBA-së”.

DASH-i nuk u prononcua për grupin e fundit të afganëve.

Ardhjen e grupit të ri të shtetasve afganë në Kosovë e lajmëroi ministri i Brendshëm i vendit, Xhelal Sveçla, përmes një postimi në Facebook më 13 tetor.

Ai nuk tha nëse në kuadër të këtij aranzhimi, priten edhe të tjerë.Kosova pranoi një numër shumë më të madh afganësh – gati 2.000 – pasi talibanët morën pushtetin në vendin e tyre, në verë të vitit 2021.

Atëkohë, zhvendosja e tyre u bë me kërkesë të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara.

Marrëveshja ishte që ata të qëndronin në Kosovë derisa t’i kalonin procedurat e verifikimit, për t’u zhvendosur pastaj në SHBA.

Komento: