7 masat e ashpra amerikane ndaj Kosovës nëse nuk hiqet taksa

17:04 | 28 February 2019

Taksa ka filluar t’i dëmtojë seriozisht raportet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Durimit të Amerikës për taksën 100 %, të vendosur nga autoritet kosovare në raport me Serbinë dhe Bosnjen e Hercegovinën – po i vjen fundi.

Këtë mesazh të administratës amerikane në Prishtinë e sollën drejtori kryesor për çështje evropiane në Këshillin e Sigurisë Kombëtare, John Erath, dhe drejtori për Ballkanin në Këshillin Kombëtar të Sigurisë, Brad Berkley.

Erath dhe Berkley janë kujdesur që këto mesazhe t’ua drejtojnë të gjithë hisedarëve politikë kosovarë të cilët janë të involvuar në kuadër të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, teksa vetë ata kanë hezituar të flasin publikisht, pavarësisht insistimit mediatik në Kosovë.

Por, Klan Kosova ekskluzivisht ju sjell detajet e mesazheve të përfaqësuesve amerikanë, të cilat ua kanë kumtuar presidentit Hashim Thaçi, kryeministrit Ramush Haradinaj dhe katër zëvendëskryeministrave kosovarë: Behgjet Pacolli, Fatmir Limaj, Enver Hoxhaj dhe Dardan Gashi, si dhe kryetarit të PSD-së, Shpend Ahmetit.

Taksa duhet të hiqet menjëherë që t’i hapet rrugë dialogut me Serbinë. Koha është tani që të zhbllokohet situata, në mënyrë që t’i hapet rrugë marrëveshjes e cila synon njohjen e ndërsjellë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ky është zëri i Shtëpisë së Bardhë”, thekson burimi i Klan Kosovës.

Amerikanët e Këshillit Kombëtar të Sigurisë ua kanë tërhequr vërejtjen kosovarëve se në rast të mosndryshimit të kursit aktual, Kosova rrezikon të ketë pasoja serioze në raport me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Nëse nuk hiqet taksa mund të ketë pasoja serioze. Përpos ndalesave të vizave dhe pezullimit të asistencës në fushën e sigurisë, mos-heqja e taksës dhe bllokimi i procesit të dialogut mund të bëjë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës ta tërheqin edhe kampin Bondsteel”, shton burimi, duke iu referuar paralajmërimit njëzëri të zyrtarëve amerikanë.

Ky paralajmërim i amerikanëve është bërë në një situatë kur qeveria e Kosovës po insiston në mbajtjen e taksës.

Por, Erath dhe Berkley, sipas burimit, kanë insistuar se Kosova nuk guxon të veprojë sikur Serbia, e cila në periudhat e mëparshme është parë si bllokuese e negociatave ndërmjet kosovarëve dhe serbëve.

Ekziston një perceptim në Washington se Kosova po bëhet destruktive, teksa Serbia po dëshmohet më konstruktive në raport me një marrëveshje përfundimtare, ligjërisht të obligueshme për palët, e cila zhbllokon konfliktin e ngrirë. Ky perceptim për Kosovën nuk ka ekzistuar më herët në Washington”, ka qenë mesazhi i amerikanëve.

Erath dhe Bredley kanë siguruar kosovarët se përfaqësojnë zërin e presidentit të SHBA-së Donald Trump, duke komentuar spekulimet se ekziston një konfuzion në Amerikë rreth asaj se si t’i qasen akordit final ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Të vetëdijshëm për qasjen destruktive të Serbisë, Erath dhe Berkley kanë siguruar palën kosovare se do të punohet që të stopohet fushata agresive e Serbisë, e intensifikuar së fundmi kundër shtetit të Kosovës.

Ne do të përpiqemi që ta stopojmë palën serbe në qasjen destruktive në planin e brendshëm dhe të jashtëm të Kosovës”, ka qenë zotimi i amerikanëve.

Sipas zyrtarëve të Këshillit Kombëtar të Sigurisë, një marrëveshje përfundimtare duhet të arrihet këtë vit, duke e marrë parasysh impenjimin e administratës amerikane për të zgjidhur kontestin serioz.

Në të kundërtën, në rast të dështimit, Kosova dhe Serbia mund të vazhdojnë edhe për një kohë të gjatë me problemet e njëjta, të cilat garantojnë stagnim në planin e brendshëm dhe të jashtëm.

Ne shohim se aktualisht ekziston vullnet politik i dy palëve për të zgjidhur problemin. Ky vullnet nuk është parë më herët. Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të gatshme të kontribuojnë në këtë marrëveshje. Në të kundërtën, dosja Kosovë-Serbi rrezikon të mbetet në sirtarët e Washingtonit”, ka qenë porosia amerikane e dërguar ndaj liderëve.

Amerikanët kanë hedhur poshtë spekulimet se është përpiluar një draft për sa i takon marrëveshjes Kosovë-Serbi, e cila mund të përfshijë demarkacionin e kufirit, delimitimin ose shkëmbimin e territorit.

Por, ata kanë qartësuar se palët duhet të bëjnë kompromis në mënyrë që të arrijnë ujdi të përbashkët.

Nuk ekziston një marrëveshje e shkruar. Palët duhet ta përpilojnë këtë marrëveshje, e cila sjell njohje të ndërsjellë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që garanton stabilitet rajonal në Ballkan”, kanë theksuar ata.

Një njohje e ndërsjellë, sipas Erath dhe Bradleyt, do ta angazhojë Washingtonin zyrtar që të punojë në drejtim të Rusisë, që të mos e pengojë anëtarësimin e Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

Ne do të punojmë me Moskën, do të ndihmojmë në mënyrë të drejtpërdrejtë që Rusia të mos e pengojë Kosovën për t’u anëtarësuar në OKB“, kanë nënvizuar amerikanët.

Qëndrimi i Erath dhe Berkley është që përpos anëtarësimit në OKB, Kosova ta zhbllokojë edhe procesin e anëtarësimit në NATO, por mbi të gjitha të zgjidh problemin e pesë shteteve bllokuese për në Bashkimin Europian.

Zyrtarët e lartë të Këshillit Kombëtar të Sigurisë gjatë të enjtes është pritur të takojnë edhe kryetarin e LDK-së, Isa Mustafa, dhe të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.

Ata e kanë takuar edhe kryetarin e SLS-së, Slobodan Petroviq, por jo edhe përfaqësuesit e Listës Serbe.

Komento: