7 raste vdekjeje pas vaksinimit me AstraZeneca në Britani të Madhe

12:02 | 04 April 2021

Britania e Madhe: 7 raste vdekjeje pas vaksinimit me AstraZeneca.

Vazhdon shqetësimi rreth rasteve me trombozë të personave të vaksinuar me vaksinën e AstraZeneca, edhe pasi Agjencia Evropiane e Barnave u shpreh se rastet nuk ishin të lidhura me dozën e kompanisë farmaceutike britanike.

Sipas BBC, Mbretëria e Bashkuar ka bërë me dije se ka pasur 7 raste të reja vdekjeje për shkak të mpiksjeve të gjakur. Të gjithë këta persona ishin vaksinuar me AstraZeneca disa javë më parë.

Ndërkohë, mes 18,1 milionë të vaksinuarish në fund të marsit me AstraZeneca, njoftohet se ka pasur 30 raste tromboze.

Gjithsesi, agjencia rregullatore e medikameteve në Mbretërinë e Bashkuar ka nënvizuar se rreziku i trombozës është shumë i vogël dhe shton se popullsia duhet të vijojë vaksinimin.

Dja, Holanda vendosi ndalimin e vaksinës së AstraZeneca tek personat nën 60 vjeç si një “masë paraprake. Holanda ka kryer deri më tani rreth 400,000 doza të vaksinës AstraZeneca por autoritetet përmendën pesë raste të mpiksjes së gjakut midis grave të moshës 25 dhe 65 vjeç, që kishin marrë dozat e kësaj vaksine.

Kjo masë pason vendimin e Gjermanisë për të ndaluar vaksinën për personat nën 60 vjeç të martën. Edhe Kanadaja do të pezullojë përdorimin e vaksinës së AstraZeneca te personat nën moshën 55-vjeçare dhe do të kërkojnë një analizë të re mbi përfitimet dhe risqet e vaksinës bazuar te mosha dhe gjinia.

Komento: