8 kërkesa për mbyllje të shkollave si shkak i numrit të vogël të nxënësve në vitin 2023, MASHT-i jep detaje

09:00 | 02 Janar 2024
8-kerkesa-per-mbyllje-te-shkollave-si-shkak-i-numrit-te-vogel-te-nxenesve-ne-vitin-2023,-masht-i-jep-detaje

Shkolla e Zhitisë në Komunën e Podujevës u mbyll në vitin 2023.

Kjo për shkak të numrit të vogël të nxënësve.

Zëdhënësi Fatri Zhitia në një prononcim për Front Online ka thënë që nxënësit tanimë janë transferuar në Pollatë.

“Gjatë këtij viti është mbyllur shkolla e Zhitisë. Nxënësit e kësaj shkolle janë transferuar në Pollatë. Arsyeja e mbylljes ishte se patën mbet vetëm tetë nxënës, dhe ishte kosto e madhe e shpenzimeve që nevojiten për mirëmbajtjen e shkollës. E kemi vlerësuar që është më mirë të mbyllet shkolla dhe këta nxënës të vijojnë mësimin në shkollën e Pollatës”, u shpreh ai.

Ai thotë se nxënësit dërgohen me transport nga Komuna e Podujevës.

“Ata dërgohen në shkollë me transport nga komuna e Podujevës”, u shpreh ai.

 

MASHT: 8 kërkesa për mbyllje të shkollave, 15 të tilla e 70 paralele kanë më pak se 20 nxënës

8 kërkesa për mbyllje të shkollave kanë shkuar në vitin 2023 në drejtim të Ministrisë së Arsimit.

Ndërsa për periudhën 2022/2023, nga Ministria e Arsimit kanë bërë të ditur për Front Online se janë 15 shkolla e 70 paralele që kanë më pak se 20 nxënës.

“Bazuar në të dhënat e raportuara në sistemin SMIA, në vitin shkollor 2022/23 kanë qenë 15 shkolla amë dhe 70 paralele të ndara që kanë më pak se 20 nxënës. Gjatë vitit 2023, Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka pranuar 8 kërkesa nga komunat për pushimin e veprimtarisë së institucioneve edukativo-arsimore, për shkak të numrit të vogël të nxënësve”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Arsimit dhënë për Front Online.

Nga ministria thonë se i kanë të gjitha të dhënat sa i përket nxënësve në shkolla, mirëpo për mbylljen e tyre duhet të vendosin vet komunat.

“MASHTI, ka hartuar analizën për gjendjen në të gjitha institucionet edukativo-arsimore dhe ka një pasqyrë të qartë lidhur me numrin e nxënësve në këto institucione. Këtë analizë e kemi diskutuar me Drejtoritë Komunale të Arsimit, dhe ju kemi paraqitur gjendjen aktuale. Në analizë janë paraqitur edhe hapat që duhet të ndërmerren nga komunat pasi që me legjislacionin në fuqi është në kompetencën e komunave të ndërmarrin hapat për fuzionimin apo shuarjen e këtyre IEA”, thuhet në përgjigjen e MASHT-it për Front Online.

 

 

Jasharaj për numrin e vogël të nxënësve: Mos të mbyllen shkollat shkel e shko

 

Nga Sindikata e Arsimit nuk kanë informacione lidhur me mbylljen e shkollave këtë vit.

Kryetari Rrahman Jasharaj për Front Online ka thënë që nga greva më nuk takohen me Ministrinë e Arsimit.

“Ne nuk e kemi pasur këtë informatë, sepse që nga greva ne fatkeqësisht nuk kemi as takime edhe pse kërkojmë vazhdimisht me Nagavcin, prandaj edhe jemi mangu për këtë informatë”, u shpreh ai.

Megjithatë, ai thotë edhe pse ka rënie të numrit të nxënësve, mbyllja nuk duhet të bëhet siç thotë ai “shkel e shko”.

Jasharaj thotë se problemi për numrin e vogël të nxënësve duhet të ngritët në nivel vendi, e jo individualisht.

“Ajo çka na shqetëson është që po kemi rënie koxha të madhe të numrit të nxënësve, dhe ka klasë të numrit të vogël të nxënësve, por unë konsideroj që nuk duhet të na përsëritet rasti i Kamenicës, por çështja duhet të ngritët jo komunë në komunë, individualisht, por çështja të ngritët në nivel vendi. Ka rënie të nxënësve por mbyllja nuk duhet të bëhet shkel e shko, pa iu gjet zgjedhje, çfarë do të bëjnë ata nxënës, me çka do të shkojnë ata, a kanë mjete udhëtimi, çfarë me mësimdhënësit”, ka thënë ai për Front Online.

 

Sa shkolla e paralele të ndara u mbyllën në Suharekë gjatë 2023-tes? Flet drejtori i Arsimit

 

Një shkollë me tri paralele të ndara është mbyllur në Stravuqinc të Suharekës, në vitin 2023.

Drejtori i Arsimit, Rezmi Bajselmani në këtë komunë për Front Online ka thënë se nxënësit udhëtojnë me transport të financuar nga Komuna.

“Në këtë vit mësimor janë mbyllur tri paralele të ndara. Shkolla amë është mbyllur, një shkollë në Stravuqinc ka pas pak nxënës, në Vërshefc, të dyja janë paralele të ndara të shkollës Naum Veqilharxhi në Mohlan, dhe është paralelja e shkollës Edith Durham në Dolloc. Nxënësit barten me transport nga komuna”, u shpreh ai.

 

Mundësit janë që deri në vitin 2025 të mbyllen edhe 3 paralele të ndara.

“Ne deri më 2025 i kemi të rrezikuara edhe tri paralele të ndara, tani deri në vitin 2030 ka stabilitet në Suharekë”, u shpreh ai.

Njëjtë është edhe një shkollë e Koznikut në Rahovec.

Nënkryetari i kësaj komune, Fatmir Iska për Front Online tha që kjo shkollë i ka vetëm shtatë nxënës.

Është numër shumë i vogël i nxënësve, kështu që mundet me u mbyll.

“Paraqitet rrezik që me u mbyll shkolla e Koznikut, është paralele e shkollës së mesme ‘Milaim Krasniqi’. Nëse nuk gaboj shkolla i ka shtatë nxënës”, tha ai.

 

 

Komento: