09:15 | 30 Mars 2026

Dy ligje në Mal të Zi, që janë kontroverse prej perspektivës së Brukselit, amendamentet e ligjeve në sektorin e gjyqësorit në Serbi dhe dështimi për t’ia hequr imunitetin parlamentar ish-zëvendëskryeministres në Shqipëri, i kanë kthyer këto tri shtete kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian sërish para testit kryesor për pranim, atij për sundimin e ligjit.

Përparimi në të gjithë kapitujt që duhen mbyllur para anëtarësimit nuk do të jetë i mjaftueshëm nëse vendet kandidate stagnojnë apo shënojnë kthim mbrapa në Kapitujt 23 dhe 24, të cilët, sipas metodologjisë evropiane të integrimit, hapen të parët dhe mbyllen të fundit.

“Reformat e pakthyeshme në këto fusha janë kusht që partnerët e zgjerimit të përparojnë në rrugët e tyre të pranimit, duke i përmbushur standardet specifike”, ka rikujtuar Shërbimi për media i Komisionit Evropian në disa përgjigje për Radion Evropa e Lirë.

“Reformat nuk janë vetëm për letër, shtetet duhet të demonstrojnë zbatimin e tyre dhe duhet të garantojnë besueshmëri përmes rezultateve të prekshme”, është thënë mes tjerash në përgjigje.

Shqipëria dhe Mali i Zi janë në krye të listës për t’u bërë anëtarë të rinj të bllokut evropian. Në këtë drejtim, Komisionarja për Zgjerim e BE-së, Marta Kos, ka folur me kryeministrin malazez, Millojko Spajiq javën e kaluar në Podgoricë.

“Ju duhet të keni patjetër një gjyqësor të pavarur, që ka kapacitet për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin, si dhe të keni media të pavarura pasi ne nuk do të bëjmë kurrë kompromis në këto çështje”.

Komento: