Greth Bale i ka ditët e numëruara në Real Madrid.
Ylli uellsian është parë në humor të mirë duke qeshur vazhdimisht edhe pse Real Madridi i tij u turpërua keq nga Atletico Madridi në International Champions Cup në SHBA.
Atletico nuk tregoi aspak mëshirë në miqësoren e zhvilluar të premten mbrëma në New Jersey, ku djelmoshat e Diego Simeones udhëhoqën 5:0 në pjesën e parë falë het-trikut të Costas, duke e mposhtur 7:3, skuadrën e Zinedine Zidane, raporton express.
Bale – i cili është pranë largimit drejt Kinës për shkak se është i padëshirueshëm nga Zidane në skuadrën e të bardhëve – luajti rreth gjysmë ore në pjesën e dytë.
Ai e zëvendësoi Marcelon në minutën e 62-të, atëherë kur Atletico po fitonte 6:1. Por, siç shihet nga pamjet e xhiruara në momentin kur ai futet në lojë, Bale buzëqesh derisa bashkëlojtarët e tij shihen me fytyra të ngrysura.
Marrëdhëniet mes Bale dhe Zidane janë shumë të acaruara, me francezin që e ka thënë publikisht se largimi i uellsianit do t’i bënte mirë klubit dhe vetë atij. Për këto deklarata pati reaguar menjëherë menaxheri i 31-vjeçarin, duke e akuzuar Zidanin për mungesë respekti.
Duket se një humbje kaq turpëruese veçse ia ka bërë qejfin uellsianit buzë largimit nga Real Madridi. Flitet se Jiangsu Suning në Kinë është pranë marrëveshjes me Bale, të cilit i ka ofruar pagë javore në vlerë 1 milion euro.