S”ka kush që e ndal PSG-në, fiton Superkupën e Francës

16:46 | 03 Gusht 2019

Nuk ka kush që e ndal PSG-në.

Superkupa e Francës është pronë e Paris Saint Germain. Për herë të 7-të rresht kampionët e Francës fituan trofeun e Superkupës pasi mposhtën në Shenzhen të Kinës, 2-1 me përmbysje skuadrën e Rennes që në fund të sezonit të kaluar u rrëmbeu Kupën e Francës.

Edhe pa Neymar në formacion Parisi e nisi mbarë sezonin për meritë edhe ty dyshes Mbappe-Di Maria.

Pas vetëm 13 minutash Honou kaloi në epërsi Rennes me sirenat e alarmit që nisën të binin te PSG. Megjithatë skuadra e Tuchel e rriti shumë nivelin e lojës së saj edhe pse golat i kishte lënë për në fraksionin e dytë të lojës.

Në minutën e 57-të Mbappe i shërbyer nga Sarabia barazoi shifrat ndërsa golin e fitores e realizoi Angel DiMaria i cili i aktivizuar nga stoli pasi ka pak ditë që është kthyer nga pushimet, në të 73-ën vetëm 12 minuta pasi kishte hyrë në fushë ekzekutoi në mënyrë perfekte një goditje standarte duke mposhtur Koubek dhe duke përmbysur rezultatin në favor të PSG-së.

Në minutat e mbetura Rennes e tentoi me çdo kusht barazimin por nuk ja doli dot. Ashtu si në 6 vitet e mëparshme, edhe këtë herë PSG e nisi me një trofe sezonin.

Ndërkohë Kylian Mbappe u përzgjodh edhe si lojtari më i mirë i ndeshjes.

Komento: