Juventus gjen zëvendësuesin e Dybalas

16:27 | 08 Gusht 2019

James Rogriguez po shihet si zëvendësues i Dybalas tek Juventus.

E përditshmja spanjolle, AS, raporton se skuadra mund t’ia rrëmbejë Napolit mesfushorin e Real Madridit.

Karriera e Paulo Dybalas me Juventusin duket se do të përfundojë këtë muaj, me Paris Saint-Germainin dhe Interin në pritje të argjentinasit, nëse Tottenhami s’arrin ta kompletojë transferimin e tij sot deri në orën 18:00, kur mbyllet afati kalimtar për klubet angleze, transmeton Express.

Duke e pasur këtë gjë në mendje, AS raporton se Juventusi ka shfaqur papritmas interesim në Jamesin, transferimi i përfolur i së cilit në Napoli vazhdon të hasë në ngecje.

Gazeta spanjolle sqaron se ylli i Juventusit, Cristiano Ronaldo, tashmë e ka dhënë dritën e gjelbër për këtë transferim të Jamesit, me të cilët kishte kaluar kohë gjatë periudhës së tij në “Santiago Bernabeu”.

Ronaldo dhe James gjithashtu e kanë të njëjtin agjent, Jorge Mendesin. Megjithatë, kolumbiani mund të transferohet vetëm nëse Dybala shitet.

Ndërkohë, “Los Blancos” insistojnë se nuk do ta shesin Jamesin për ofertë më të ulët sesa 42 milionë euro, përkundër tentimeve të Napolit për ta marrë atë në formë huazimi me opsionin për ta blerë verën e ardhshme.

Atletico Madridi ka qenë gjithashtu i përfolur për transferimin e Jamesit, nëse Angel Correa largohet për t’iu bashkuar skuadrës së Milanit.

Për dallim nga Anglia, afati kalimtar për klubet spanjolle dhe ato italiane nuk mbyllet deri më 2 shtator.

Komento: