Në magjistralën Prishtinë-Pejë ndodhën mbi dhjetë aksidente, policia jep detaje

22:23 | 24 Gusht 2019

Çdo ditë e më shumë po shtohet numri i aksidenteve në vendin tonë.

Pasditen e sotme, një sërë aksidentesh kishin ndodhur në rrugën magjistrale Prishtinë-Pejë.

Gjatë pasdites së sotme, në rrugën Prishtinë-Pejë, përkatësisht te Kori i Mbretit e deri te mbi kalimi në Komoran, kishin ndodhur 13 aksidente, raporton lajmi.net.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha, ka treguar për lajmi.net, se nga 13 aksidente, gjashtë prej tyre kanë qenë me të lënduar, por që të gjithë të lënduarit janë jashtë rrezikut për jetë.

“Sot në intervalin kohor nga ora 17:20 deri në ora 18:40 në rrugën Prishtinë – Pejë nga lokacioni Kroi i Mbretit deri te mbikalimi në Komoran në të dy drejtimet e rrugës kanë ndodhur 13 aksidente trafiku prej tyre 6 me lëndime trupore. Fatbardhësisht nuk ka pasur aksidente me fatalitet dhe të lënduarit janë jashtë rrezikut për jetën”, tregoi Hoxha.

Sipas tij, deri te aksidenti dyshohet sa ka ardhur si pasojë e reshjeve të shiut dhe mospërshtatjes së shpejtësisë me kushtet e krijuara.

“ Deri te aksidentet dyshohet se ka ardhur si pasojë e reshjeve të shiut dhe gjendjes (kushteve) së krijuar në rrugë, me ç’rast disa nga vozitësit nuk e kanë përshtatur shpejtësinë me kushtet e rrugës si dhe nuk kanë mbajtur distancë të mjaftueshme ndërmjet automjeteve për të shmangur aksidentet”, deklaroi Hoxha për lajmi.net.

Ai tutje tha se si pasojë e këtij aksidenti, edhe qarkullimi rrugorë ishte vështirësuar dhe kështu ishin krijuar kolona të gjata.

“Në vendngjarje kanë dal Policia, ekipet e zjarrfikësve, ekipi i mirëmbajtjes së rrugëve si dhe autoambulancat . Pas orës 19:00 qarkullimi i automjeteve në këtë aks rrugor ka filluar të normalizohet dhe policia ka kryer procedurat e nevojshme për aksidentet e evidentuara”, theksoi Hoxha.

Tutje, ai bëri apel tek të gjithë vozitësit që të kenë kujdes gjatë drejtimit të veturave.

Hoxha ka bërë të ditur po ashtu se, Policia e Kosovës do të ndërmarrë veprime ndaj të gjithë atyre që shkelin rregullat në trafik apo rrezikojnë sigurinë e pjesëmarrësve tjerë në trafik.

“Ne në vazhdimësi kemi kërkuar nga drejtuesit e automjeteve që të kenë kujdes dhe shpejtësinë e automjeteve ta përshtatin gjithnjë me kushtet dhe rrethanat në rrugët që ata qarkullojnë. Vetëm në këtë mënyrë aksidentet mund të reduktohen dhe të kemi një siguri më të madhe nëpër rrugët tona. Policia po ndërmerr dhe do të ndërmarrë veprime ligjore ndaj të gjithë atyre që shkelin rregullat në trafik apo rrezikojnë sigurinë e pjesëmarrësve tjerë në trafik”, u shpreh Hoxha.

Komento: