Haradinaj mungon në darkën e fundit të Mogherinit- priten diskutime për dialogun

18:15 | 29 Tetor 2019

Federica mogherini ka organizuar një darkë në përfundim të mandatit të saj.

Në Bruksel sot do të takohen edhe një herë liderët e Ballkanit.

Të ftuar nga përfaqësuesja e lartë e BE-së, Federica Mogherini, të pranishëm në darkën e punës do të jenë edhe dy presidentët, Hashim Thaçi e Aleksander Vuçiq, shkruan lajmi.net.

Darka e ftuar nga Mogherini, ndonëse me karakter lamtumirës, pritet të zhvillohet edhe me diskutime përmbajtësore.

Mësohet se çështje kryesore e diskutimit të liderëve të rajonit do të jetë vazhdimi i dialogut Kosovë – Serbi.

Nga Qeveria e Kosovës kanë konfirmuar për lajmi.net se i pranishëm në këtë darkë nuk do të jetë kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, pa dhënë detaje nëse i njëjti ka pasur ftesë paraprakisht.

Ky i fundit edhe ashtu në përfundim të mandatit të tij, i kishte prishur punët me Mogherinin, ndaj së cilës kishte pretendime se po e lejon zhvillimin e dialogut me temën e shkëmbimit të territoreve.

Sidoqoftë, në këtë takim pritet të jenë të pranishëm presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, kryeministri maqedonas, Zoran Zaev, presidenti serb, Aleksander Vuçiq, presidenti malazez, Milo Gjukanoviq, si dhe tre anëtarët e presidencës boshnjake, Milorad Dodik, Zeljko Komshiq dhe Sefik Gjaferoviq.

Para fillimit të takimit, presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq mirëpo edhe liderët e tjerë pritet të kenë takime të ndara me përfaqësuesen e lartë të BE-së, Federica Mogherini si dhe komisionerin për zgjerim, Johannes Hahn.

Lajmi.net do të iu mbajë të informuar lidhur me më të rejat nga ky takim. /Lajmi.net/

Komento: